Arshi Pipa, misionari, poeti, studiuesi

July 24, 2020

Disa shënime rreth Arshi Pipës … me rastin e 100 vjetorit të lindjes-

Shkruan: Hektor Çiftja, Profesor i Gazetarisë, Universiteti Aleksander Xhuvani, Elbasan-*-

Në vend të hyrjes-

Ky muaj (Korrik 2020) shënon 100 vjetorin e lindjes së prof. Arshi Pipës. Si lexues i zellshëm i tij nuk mund të mos hidhja në kompjuter disa rreshta për këtë figurë që të cilën e çmoj lart, sidomos si studiues dhe si një përfaqsues dinjitoz i shqiptarëve që na kanë nderuar në kohëra në auditoret studimore dhe kulturologjike të perandorive kulturore. Dëshiroja të shkruaja një biografi të këtij studiuesi, jo aq një biografi të jetës private, gjë që tashmë na e ka sjellë me shumë seriozitet studiuesi Uran Kalakula, por një biografi që të dalë nga studimet dhe shkrimet e tij publike. Edhe për këtë kërkova të gjej ndihmë në vetë librat e Pipës dhe mu shfaq përpara një biografi e shkëlqyer që ai ka shkruar për Nolin në vitet e fundit të jetës së tij, në gjuhën angleze në revistën “Telos”. Por mu shfaq përpara edhe përmbledhja me poezi në disa gjuhë e vetë Pipës “Autobiography” e përfunduar në vitin 1988 dhe e publikuar nga shtëpia botuese PHOENIX në Tiranë në vitin 2000.

Dëshiroja ta përfundoja shkrimin në këtë muaj të 100 vjetorit të lindjes. E kuptova shpejt që iniciativa kërkonte shumë e më shumë kohë dhe shumë e më shumë nivel ekspertize nga ana ime. Vendosa atëherë të shkruaj vetëm për 3 gjëra: periodizimin e veprës së tij, konceptin e misionarit dhe raportin me komunizmin siç del nga kjo vepër.

Gjej rast t’i kërkoj ndjesë lexuesit për ngutjen në të shkruar dhe publikur. Entuziazmi, emocioni, e kishte mposhtur arsyen kur i kërkova studiuesve të ndonjë portali të më publikonin draftin, padiskutim të papërfunduar dhe krejtësisht të papërkryer. Por gjykova që ky shkrim i imi në këtë 100 vjetor të shërbejë si një tjetër ftesë për lexim, një tjetër ftesë për të mësuar nga personalitet të cilit, ndër të paktit e kulturës shqiptare i ka hije përcaktim “AUTOR”

Kronologji e jetës së Arshi Pipës

Në një nga shkrimet e tij mbi Konicën, Pipa shprehet: “jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtari asht gjithmonë çelsi i artit të tij”. Vetë vepra e Pipës gjithashtu mund të kuptohet më mirë dhe më qartë nëse vendoset në kontekstin e formimit akademik që ai mori dhe të kushteve sociale dhe historike, por edhe të vetë kushteve fizike që ai shkroi dhe komunikoi.

Në këtë shkrim do ti qasemi personalitetit shumëplanësh të tij duke e parë nga njëra anë si figurë të përmasave kombëtare, dhe nga ana tjetër, si figurë të përmasave ndërkombëtare.

Misionari

Arshi Pipa, në profilet eseistike të hershme që hartoi për Migjenin, Nolin, Fishtën, midis të tjerash përsërit me adhurim rolin e tyre prej “misionari”, misionarë në atdhetarizëm, misonarë në ndriçimin e popullit të tyre. Në të gjitha shkrimet e veta, duket se edhe vetë Pipa e adhuron dhe merr përsipër këtë rol misionari, por padyshim në kontekste dhe rrethana të tjera nga autorët e mësipërm. Si një studiues i shkolluar në filozofi në perëndim dhe me një vokacion të veçantë për filozofinë perëndimore ai nuk mund të bëntë gjë tjetër veçse ti shihte problemet e vendit të tij dhe të kulturës së vendit të tij nga një perspektivë shumë më e gjërë sesa një perspektivë thjesht kombëtariste. Megjithatë-siç shprehet vetë Pipa në studimin për Nolin- internacionalizmi i tij mbart në vetvete një komponent të mirëfilltë politik, i cili deri në ditët tona, ose është anashkaluar, ose është keqintepretuar.

Vepra e Pipës, qoftë kjo në poezi, eseistikë, fiolozofi, studime letrare, studime albanologjike dhe politologji karakterizohet nga:

1. një përkushtim ndaj çështjeve të natyrës atdhetare si ato që kanë të bëjnë me problemin kombëtar ashtu dhe me problemet e kombit shqiptar. Këto Pipa i shkruan në frymën e një edukimi që ai mendon se filozofi duhet ti japë popullit të vet, njëherë duke i mësuar se ç’është kritika letrare dhe shija apo gusti letrar, njëherë duke i i rrëfyer tmerret e burgjeve dhe të diktaturës; diku sesi duhet të kuotojnë komunizmin e diku sesi duhet ti lexojnë personalitetet e kulturës shqiptare

2. Së dyti, ideologjia përshkuese e të gjitha veprave të Pipës është një ideologji jashtëzakonisht demokratike dhe humanitare/ humaniste, e shprehur deri-diku hapur- si në “Skicë për konceptimin e jetes”- e diku si kuadër i të menduarit të studiuesit kur diskuton probleme të kulturës kombëtare dhe-si regull- përshkon pothuajse tërë veprën e tij. Kjo ideologji demokratike dhe humanitare/ humaniste ka të gjitha tiparet e një marksizmi të akademik perëndimor të shprehur në çështje të kulturës. Ndoshta e vetmja gjë elitiste tek ai është shija, apo gusti letrar, që origjinon tek talenti dhe kultivohet nga leximet e shumta e të mira (siç demonstrohet tek “Montale e Dante”), apo dhe nga mësimet e filozofëve të mëdhenj Bergson, Kroçe, Viko, De Sanctis etj

3. Volumi më i madh i veprës së tij përbëhet nga shkrime në të cilat problemet e kulturës shqiptare shihen nga një perspektivë multikulturaliste perëndimore: tek Migjeni heton ndikimet kulturorologjike, po kështu edhe tek De Rada, e njëjta gjë edhe në folklor. Duket se autorët shqiptarë më të adhuruar prej tij janë De Rada, Migjeni, dhe Noli, të tre këto shihen si manifesitime të multikulturalizmit të epokës dhe vendit nga vijnë, një multikulturalizëm/ sinkretizëm kulturor që në këto autorë shprehet me instrumente të letërsisë dhe poezisë, por është i hetueshëm edhe në personalitetin e tyre krijues.

4. Njëherazi, studimet në italianistikë, studime këto të sukseshme të bëra në universitetet amerikane dhe në gjuhën angleze provojnë se kjo prirje drejt multikulturalizmit, prirje që siç do të shohim ishte veçori e brendshme edhe e personalitetit të Pipës marrin një formë tjetër, krejtësisht ndërkombëtare.

Objektivi im në këtë paragraf është të skicoj një biografi intelektuale të Pipës përmes një analize kritike të shkrimeve dhe fjalimeve të tij. Për shkak të natyrës së kësaj eseje, do të prekim shkarazi fëmijërinë e tij të hershme dhe orgjinën e familjes së tij.

“më josh gjithmonë purizmi, duke qenë hibrid/

babai fliste çamërisht, nëna/

gegërishten e Shkodrës, ata nuk i përzien dialektet”.

Le të nisim duke shqyrtuar implikimet e metaforës në vargun “duke qenë hibrid”. Uran Kalakula, biografi i tij na tregon se i ati i Arshiut, Mustafa Nuri ishte nga Libohova, një nga qendrat më jugore të Shqipërisë. Edhe biografia e të atit na e tregon si një njohës të shumë kulturave, profesioni si jurist kishte bërë që të punonte dhe të jetonte në shumë qendra jo-shqiptare të perandorisë otomane. Madje pat qenë martuar edhe me një gjeorgjane, martesë nga e cila lindi Myzaferi, vëllai i Arshiut nga ana e të atit. Nëna a Arshiut i përkiste një familjeje tradicionale nga Shkodra, kryeqendra kulturore e Shqipërisë së veriut.

Kozmopolitanizmi i Pipës ka edhe rrënjë gjeografike. Ai u lind në Shkodër, qytet i njohur dhe simbol i ekzistencës dhe bashkëjetesës së kulturave. I tillë dhe u rrit, arsimin fillor e mori në shkollën e jezuitëve, shkollë fetare dhe ku jepej mësim me ngulm edhe kultura klasike, ndërsa pasditeve ndiqte mejtepin, një lloj arsimi fillor që ofrohej në mënyrë institucionale nga institucionet e besimit islam: një tjetër shembull i kulturave dhe edukimeve me rrënjë gjeografikisht ekstreme të sjella në një. Arsimin e mesëm parauniversitar e bëri në një institucion shtetëror po në Shkodër. Ai e rikujton kështu në poezinë e tij “Autobiografia”

I grew on the shores of the lake

where the Venetian fortress

casts an Ilyrian shadow.

Mottled history ruins my veins.

My grandmother who raised me

was a great storyteller.I recall

her tales, her rhymes,

her gentle voice,……….

U rrita në brigjet e liqenit

në të cilin një fortesë veneciane

hedh një hije ilire.

Historia me të gjitha ngjyrat dhe format rrjedh në damarët e mi.

Gjyshja e cila më rriti

ishte një tregimtare e jashtëzakonshme. I kujtoj

rrëfimet, rimat

zërin e saj të butë…

Preludio fiorentino (1939-1944)

Në librin e tij me poezi në disa gjuhë “Autobiografia”, periudhën e krijimtarisë së vet poetike që lidhet me kohën kur studioi në Firence, pra me vitet 1939-1944, Pipa e ka quajtur në gjuhën italiane “Preludio Fiorentino”, e cila e kryer në një shqipe të varfër do të nënkuptonte “preludi i periudhës në Firence”, me fjalë të tjera fillimi, ose pjesa e parë e një historie të gjatë jete dhe krjimtarie. Si periudhë të parë, Pipa konsideron vitet 1936-1938, pra kur ishte 16-17 vjeç. Ai i quan këto vite “Juvenilia” dhe ishte koha kur shkroi poezitë e librit “Lundërtarë” të cilin e botoi në vitin 1944. Gjatë kohës së studimeve në Itali, ai shkroi poezitë të cilat më vonë u botuan në vëllimin “Meridiana”, në vitin 1969.

Qëndrimin e tij në Firence, Pipa e kujton kështu në poezinë e tij:

At fifteen I read Marx.

About that time

I wrote my first poem, it won a prize,

the only one I ever got, it was agianst the war.

……………………………………….

My poems were for her angelic sister

I went to Florence uncertain what to study,

economics or literature.

The compromise was philosophy

……………………………………………..

……………………………………………..

These were the days when I was reading Lenin.

Unfortunately for him, I read last

his empiro-criticism book,

the result was brain constipation.

Idealism I regurgirated

by coping with Bergson. I was to appear

in black shirt and then to praise

his recent conversion to Christian mysticism.

I did neither one, thus igniting the wrath

of my Chatholic profascist adviser. I disconcerted

Garin by telling him what

philosophy had taught me: more love

for poetry, and a sence for style.

Kur isha pesëmbëdhjetë lexova Marksin,

shkrova poezinë e parë, kjo fitoi edhe çmim,

të vetmin që kam marrë ndonjëherë, poezia ishte kundër luftës

….

poezitë e mia i kushtoheshin motrës së saj engjëllore

Shkova në Firence, i pasigurt se çfare të studioja,

ekonomi apo letërsi

bëra kompromis midis të dyjave, zgjodha filozofinë

ato ishin ditët kur unë lexoja Leninin.

Për të keqen e tij, vepra e fundit që lexova ishte libri mbi kritikën ndaj empirizimit

si pasojë pata një kapsllëk mendor.

pa e ditur “pse-në” kalova tek idealizmi

në kohën që u mora me Bergson-in. Detyrimisht pastaj u shfaqa

ne këmishë të zezë e më pas lëvdova

konvertimin e tij në

mistikën kristiane.

në fakt nuk u pajtova me asnjërën nga këto, duke ndezur në këtë formë mëninë

e profesorit tim katolik dhe fashist. E çorientoja

Garin-in duke i thënë atë, dhe nj

që më kishte mësuar flozofia: më shumë dashuri

për poezinë dhe një ndjesi për stilin.

Jam i mendimit se edhe në skicimin e një biografie intelektuale dhe të Pipës, kategorizimi nën temrin “Preludio Fiorentino” qëndron. Kështu, duke dashur të bëj një klasifikim të studimeve dhe eseistikës së Pipës sipas periudhave, nën kategorizimin e mësipërm do të përfshiheshin të gjithë ato shkrime të cilat vërtet u botuan pak më vonë, në periudhën 1943, 1944, 1945, por kanë vulën e dallueshme të studimeve në Itali. Përmendim këtu “Për nji kritikë letrare”, Art e moral dhe vetëdije letrare”, “Shpirti kritik”, “Mbi përkëthimet”, “Bergson: Metafizikë e poezi”, “Paramnezija”, “Philosophia Perennis”, “Faik Konica”, “Bariu i Popullit”,”Shënime kritike mbi librin “Fan. S.Noli “Mall e brengë””, “Shënime kritike mbi librin “Israelitë e Filistinë”, “Fishta: njeriu dhe vepra”, “Historia e dhimshme e “shpirtit të ri”, “Nderim Migjenit”. Në përgjithësi këto esé janë parashtrime pikëpamjesh filozofike, janë profile personalitetesh shqiptare të kulturës, ose gjykime në fushën e kritikës letrare. Një numër relativisht i madh shkrimesh serioze, po të kemi parasysh harkun e shkurtër kohor (1943-1945), thellësinë e gjykimit dhe përkujdesjen e lartë për shprehjen artistike. Disa autorë si Ibrahim Rugova nuk kanë nguruar ti përfshijnë në historinë e kritikës letrare shqiptare.

Kur u shkruan këto esé, trualli i mendimit letrar dhe kulturologjik në Shqipëri kishte filluar të ishte shumë pjellor të paktën që nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore. Personalitetet e mëdhej si Kuteli, Konica, Kokona, Merxhani e plot të tjerë kishin qenë mjaft aktivë dhe prolifikë në fushë të botimeve. Por këto shkrime të Pipës ranë në sy për thellësinë e mendimit, dhe sidomos për prezantimin në një kontekst imediat të kulturës dhe aktualitetit shqiptar të frymës së filozofisë së idealizmit italian në letërsi dhe arte. Pra këto shkrime janë me vlerë edhe për lexuesin e sotëm . Jam i mendimit se, nisur nga terreni pjellor kur u botuan, nga ndikimi mjaft i dukshëm i studimeve në Firence të cilat gjithësesi ndikonin në origjinalitetin, (edhe pse aspak në vlerën dhe performancën gjuhësore dhe stilistike) e tyre, nga mosha kur u botuan, (24 vjeç nuk është mosha më e përkryer për të dhënë maksimumin në studime letrare) si edhe duke gjykuar nga çfarë Pipa do të na jepte deri në fund të jetës së tij, këto shkrime pra janë vetëm kaq: një “preludio fiorentino”, por një prelud i mrekullueshëm i cili ka kapacitetin të provokojë dhe ngjallë edhe sot kënaqësi intelektuale.

Dallohen qartë në këto shkrime të Pipës disa tipare që i hasim dendur në të gjitha punimet e tij në moshe të pjekur. Së pari misionari atdhetar: ai shtron me forcë përpara shqiptarëve nevojën për një kritikë letrare, e argumenton dhe e përsërit dendur atë, shtron nevojën për përkthime të mira dhe shpjegon se çfarë kupton ai me këtë gjë, shtron nevojën për letërsi të mirë, diskuton dhe mbron me entuziazëm tezën e moralitetit në art, i shpjegon shqiptarëve se si zhvillimi kulturor vjen nga shpirti dhe fryma kritike, ju paraqet kush është Henri Bergson, filozofi që kishte pushtuar në atë kohë sallonet e Evropës dhe se çmendonte ai për të (“Morali dhe feja tek Bergson kishte qenë dhe teza e tij e laurës ne Firence), ç’është filozofia dhe si duhet kuptuar ajo në shkrime si “Philosophia perennis” e kështu me rradhë.

Le të vijmë tani tek profilet që ai harton për personalitetet e mëdhenj të kulturës shqiptare si Konica, Noli, Migjeni e Fishta. Përveç adhurimit që ai di ta shprehë hapur dhe me një përkujdesje të jashtëzakonshme për fjalën e bukur, nuk do të mungojnë edhe komentet, në shumicën e rasteve ato janë të natyrës etike. Konica do të qortohet duke thënë se

“…i mungonin Faikut ato ideale qi e derdhin njerín në nji humanitet ma të gjanë se bota e vetvehtes. Nuk gjejmë në tê hove dëshirash altruiste, zell apostulli(nënvizimi im, H.Ç).Konica roi e vdiq i pamartuem, nuk e njofti pra familjen si vlerë etike. Popullin aj s’e ndjeu afër tue qenë aristokrat. Fén e injoroi. Ndër idealet etik qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij. Vepra e tij atdhetare imponon nderim”

Ja pra çka çmon dhe kërkon Pipa tek të tjerët, dhe tek vetja, apostullin e popullit, demokratin, atdhetarin. Tek Noli shprehet se

” Arti për art” mund të ishte “credo-ja”e nji Konice. Formula e Nolit qe gjithmonë: “Arti për edukatë”

Këtë çmonte lart Pipa, artin në funksion të një shoqërie më të mirë. Noli do të lëvdohet në të njejtin artikull duke e quajtur “bariu i popullit”, pra misionari. Ai shprehet:

“Apostullati i tij zhvillohet rreth këtyre idealeve: atdhé e njerëzim”

I tërë profili që Pipa realizon për Nolin është një himn për vlerat e misionarëvë të atdheut dhe të misionarëve në emër të idealeve të humanizmit, ndriçimit mendor dhe demokracisë. Paragrafi me të cilin mbyllet “Bariu i popullit” e shpreh shumë qartë botëkuptimin e Pipës në këtë periudhë.

“Bota nuk asht edukue endé aq sa ta kuptojë politikën si një funksion t’etikës. Dhe deri sa makiavelizmi i pabesë do të vijojë me drejtue jetën e shteteve asht e kotë, asht e dhimbshme, qi njerzit e pastër të përzihen në politikë. Hipokrizia politike ka tallë e mashtrue gjithmonë idealet ma të naltat njerëzore. Ata qi ma tepër e kanë dashtë njerëzin, ata janë kryqëzue prej saj. Humanitari ti rrijë lark intrigavet të sundimit, të vazhdojë apostullatin e tij në heshtje e durim. Filozofia të qindrojë aty ku e këshilloi ati i saj i madh, në fushën e pastër të mendimit e prej andej të lëshojë dritë- O kohna të republikës së Platonit ku filozofi drejton shtetin! Ju jeni gjithmonë larg!…”

Ne profilin tjetër “Fishta: Njeriu dhe vepra”lexojmë:

Ai e deshti atdheun më të tanë fuqinë të djegun nga malli i lirisë, i këndoi dhe i madhnoi malet përmendore t’amshueme të vërtyteve të fisit shqiptar. Atdheu për te qe ba nji ideal i dyfishtë: më njenën anë ishte nevojë e shpirtit të tij të gjanë, e i ngjallte pezmatim për padrejtësinë qi i bahej Shqipërisë prej të huejvet, ishte ngjitja e mishnueshme e arbnorit për trojet e veta, për amblësinë e votrës qi Fishta aq pak e njofti, ishte ngushullim, mandej qi vinte nga shpresat, ngushullim për vehte e për popullin jetim qi mirë e ndiente mungesën e lirisë”

Është paragrafi i mësipërm një tjetër ilustrim se çfare shihte Pipa si vlerë tek të tjerët, por edhe se çfarë kërkonte tek vetja në këtë periudhë. Profili mbi Migjenin nuk është më pak ilustrues në këtë drejtim. Ja si e komenton, midis të tjerash, Pipa poezinë e Migjenit “Rezignata”

“Dhe nuk ka randsi fati i mjerë i apostullit,(nënvizimi im H.Ç) por asht e tmerrshme me vrejtë se si mundimet e tija për të mirë e njerzis dështojnë tue mbarue ndër lotë qi shtojnë mjerimin e botës.”

Edhe një herë na del si vlerë etike të qenit apostull për njerëzimin dhe popullin. Këto ishin vetëm disa nga shembujt e shumtë që gjenden në këto proza dhe që na ilustrojnë kuadrin etik të të menduarit të Pipës të atyre viteve.

Por ka edhe më. Në të gjithë shkrimet e kësaj periudhe Pipa këmbëngul në cilësinë e stilit dhe të fjalës. Këtë e deklaron shumë shpesh si kur flet për kritikën letrare ashtu edhe kur merret me profilet e autorëve të medhej. Për Pipën të kuptuarit e artit është i pandashëm nga të kuptuarit e personalitetit të shkrimtarit dhe njëherazi nga karakteri prej misionari që shkrimtari duhet të ketë. Por këto gjykime të Pipës do të trajtohen edhe njëherë gjërësisht në shkrime të tjera kur të flasim për ndikimin që filozofia e idealizmit italian në letërsi pati në veprën e tij.

Burgu (1946-1956)

Prison chastised my arrogance of freedom,

wiping out my elitis left-overs,

brutish life gave relish to life,

and forced labor taught me what labor is

…..

Periudha e kaluar në burgjet shqiptare padyshim që ishte periudhë vuajtjesh që vështirë mund të përshkruhen me saktësi. Po për Pipën ishte edhe një periudhë në mbarim të së cilës ai la tre vepra signifikante: “Libri i burgut”, poemën tregimtare “Rusha” botuar në Mynih në 1968, dhe “”skicë e një konceptimi për jetën” dhe “Mbi gjeniun”, botuar të dyja mbas vdekje.

Periudha e burgut, kuptueshëm, la një gjurmë shumë të dukshme në veprën e Pipës. Por gjithashtu, në këtë periudhë u bënë më të theksuara disa tipare të botëkuptimit të Pipës që i kemi përmendur më sipër. Tek “Autobiografia” (1989) ai shkruan”

….

Prison chastised my arrogance of freedom,

wiping out my elitis left-overs,

brutish life gave relish to life,

and forced labor taught me what labor is.

It was in prison I studied Espinoza

in the original my sister sneaked in,

the volume bound with a Stalin cover.

Sharing suffering with all sorts of people

humbled my pride, gave me a chance

to broaden my humanity’s scope

and then reach out and beyond.

Family deaths paved the way.

….

….

Burgu e goditi fort arrogancën e lirisë sime,

hoqi tutje ato mbeturina elitiste

Jeta mizore e ringjalli vetë jetën tek unë,

dhe puna e detyruar më mësoi se çështë puna.

Në burg studiova në origjinal Espinozën

që motra e kish futur vjedhurazi,

libri kishte Stalinin në kopertinë.

Duke ndarë vuajtjen më të gjithë llojet e njerëzve

krenaria ime u bë më e përunjur, pata dhe rastin

të kuptoj se çështë humanizmi

të dal mbi veten, të shkoj përtej saj.

Vdekjet në familje e shtruan këtë rrugë

…………

Mëse një herë Pipa i fton lexuesit që shkrimet e tij të të gjitha natyrave ti lexojnë edhe si shkrime autobiografike. Kemi pra arsye që edhe esetë e tij “Skicë për konceptimin e jetës” dhe “Mbi gjeniun” ti shqyrtojmë duke hetuar ato elementet që kanë të bëjnë me biografinë e tij intelektuale.

Në fakt “Skicë për konceptimin e jetës” e cila u shkrua tërësisht në burg, në kushte aspak akademike, është një traktat i mirëfilltë filozofik. Autori e nisi si vazhdimësi të punimit “Morali dhe feja tek Bergson”, por në fakt e përfundoi si një punim filozofik më vete.

…Unë doja, në fillim, të bëja një përmbledhje të “Dy burimeve të Moralit dhe Fesë”, duke ja shtuar si një kapitull plotësues të paraqitje së filozofisë bergsoniane hartuar nga S. Caramella, sepse kjo paraqitje ishte ndalur tek evolucioni krijues dhe nuk i përmendte fare “Dy burimet e Moralit dhe Fesë”. Por duke u përpjekur të kujtoj me mend përmbajtjen e tezës sime, u detyrova ta rishikoj pozicionimin tim të atëherëshëm. Dhe duke u shmangur pjesërisht nga teza ime rinore, ose më mirë duke e tejkaluar atë, fillova të mendoj përse Bergson-i nuk i kënaqte kërkesat e mia morale me zgjidhjen e bërë në atë vepër, e përse, në përgjithësi, nuk më kënaqte filozofia e tij. Kështu, nga kritika, kalova në një qëndrim personal në lidhje me problemin moralo-fetar. Dhe, meqenëse moraliteti më dukej shprehja themelore e shpirtit, si një sintezë në veprimin moral të mundësive njerëzore reale dhe ideale të jetës së arsyes, kam kaluar te një shqyrtim i jetës së gjithë shpirtit, duke arritur te një konceptim personal për jetën dhe realitetin…

Diskutimi dhe kritika e “Skica…”, këtij traktati të mirëfilltë filozofik, shkon përtej synimit të punimit tonë. Nga ana tjetër, koha relativisht e vonshme e botimit të saj-2011- nuk ka qenë e mjaftueshme për të dëgjuar fjalën e specialistëve dhe akademikëve. Po le ta lexojmë këtë punim të shkruar dhe përfunduar në burgun e Burrelit në vitin 1955 për të parë kuadrin e të menduarit të Pipës gjatë dhjetëvjeçarit në burgjet e dikaturës.

Në parathënien e “skicë…” lexojmë:

“…

Pastaj erdhën vitet e gjata të burgut tim.

Kohët e para, nuk kam mundur të përqëndrohem aq sa duhej, që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin seroz dhe në anën tjetër, duke jetuar, i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke mos pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një sërë fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme, më shumë personale, më është dashur për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin, duk u shprehur në të, (këtu duhet ta ketë fjalën për poezitë e “Librit të burgut”-shën.im. H.Ç.) si dhe me studime të një angazhimi më të vogël (ndoshta e ka fjalën për “Letër didaktike”, një vepër e cila ka humbur dhe që e përmend Uran Kalakula në biografinë e tij. Po në këtë kohë kemi edhe përmbledhjen folklorike “Satira popullore shqiptare”, edhe kjo e humbur.-shën. im. H. Ç. ).

Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar”

Mbas këtij përshkrimi dhe arsyetimi për vitet e burgut që gjejmë tek “Parathënie e autorit” në traktatin “Skicë…” vjen një tjetër pohim mjaft domëthënës për të kuptuar kuadrin e tij të të menduarit në dekadën e burgut:

” Dhe, nësë kam menduar dhe reflektuar për diçka, ky ka qenë problemi moral, i cili më është imponuar si një domosdoshëmri më e madhe, sa më shumë që kërkoja të orientohesha në vendin ku po mbytesha, për të shpëtuar veten nga rreziku tepër kërcënues, në një jetë me kushte shumë të këqija, nga degjenerimi, nga kafshëzimi. (Nën. im. H.Ç. ). Jam reflektuar në fytyrën e shokëve të mi të dhimbjes dhe jam trembur, jam tmerruar. Një herë pata jetuar në Olimpin e mendimit të kulluar dhe të poezisë së kulluar. I tërhequr pastaj në vorbullë e jetës, ajo më kish fundosur në ferr. A do ta kisha imagjinuar ndonjiherë që njeriu, kjo qënie që zoti e krijoi sipas shëmbëlltyrës së vet, mund të jetë kaq afër kafshës? Tashti po e kuptoja se ç’domethënie kishin ato hyjni pagane, gjysmë njeri e gjysmë kafshë, si centaurët e sirenat!…

Në burg kam njohur gjithë poshtërsitë e njeriut, gjithçka që është trashëgim shtazor tek ai, nga egoizmi i egër, që arrin të urojë vdekjen e shokut për t’i vjedhur bukën, tek frika e marrë shtazore, që errëson jo vetëm arsyen, por deri edhe ndjenjat.

Por në këtë ferr shëmtie kan ndeshur, si një oaz të vërtetë në mes të shkretëtirës, shpirtin e pastër, të butë, fëmijëror, çiltërsinë e virtytshme, dhe pranë tyre Farinata-t dhe Kapaneus-at e kohëve tona.

Kam njohur kështu nga eksperienca ime të mirën dhe të keqen, të gjitha shkallëzimet e këtyre. Edhe po të kisha jetuar njiqind vjet, kurrë nuk do të kisha mundur të mbledh kaq të korra me kaq shumë varietete psikologjike.”

Kur lexojmë deri kaq në një parathënie të një traktati filozofik, vjen natyrshëm pyetja se si lidhen këto përvoja me atë se çfarë shkruan dhe mendon një i burgosur politik i cili ka studiuar filozofi dhe letërsi. Përgjigjen Pipa e jep menjëherë:

” Dhe, nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art (me siguri tek “Libri i burgut” dhe “Rusha”-nën.im. H.Ç.) në anën tjetër kjo ka ushquer dhe mbarsur mendimin tim (nën. im. H.Ç.).

Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar.

Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë arritur të prangosin mendimin tim. Dhe-gjë vërtetë e mrekullueshme-kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë.

Le të vazhdojmë edhe me një ilustrim tjetër për të treguar se në ç’mënyrë dhe cila përvojë është transfiguruar në produkt të shkruar filozofik:

“Më kanë mbyllur në burg të vuaj.Unë nuk u mbaj mëri atyre që më kanë bërë të vuaj, madje i falenderoj, dhe sinqerisht. Ka të drejtë të mallkojë vuajtjen ai që shtypet nga ajo. Por ai që e mund, do të duhej ta bekonte. Ndërsa njëra degjeneron në vuajtje, tjetra ripërtërihet. Poshtë ajo të çon tek krimbi, lart te hyjnia.

Asgjë e madhe s’është bërë kurrë në botë që të mos ketë lindur, të paktën pjesërisht, nga vuajtja. Pisha e madhërishme malore i ka rrënjët në shkëmb; sa i është dashur të lodhet që të arrijë deri atje! E përse shkëlqen nga ai gëzim i pastër qiellor balli i shenjtorit? Përse ka kaq ëmbëlsi në melodinë e dhimbjes, më e lartë edhe se melodia e gëzimit? Një element dhimbjeje është i domosdoshëm për kompozimin e vetë gëzimit. Vuajtja pastron dhe shenjtëron. Ose, si tha Beethoven-i: “Durch Leiden Freude!” . (“Gëzim nëpërmjet shimbjes”-shën.im. H.Ç. )

Kemi dhënë me citimet e mësipërme disa dëshmi se përse mendojmë se “skicë…” mund të shihet si edhe ditar i mendimeve dhe bindjeve të Pipës gjatë periudhës së burgut. Kujtojmë edhe një herë se kjo vepër është shumë më tepër se kaq: së pari është një vepër e mirëfilltë filozofike, për vlerat e së cilës duhet të flasim ekspertët, është një vepër mbi filozofinë e artit, gjë që do ta trajtojmë më gjërësisht kur të flasim për ndikimet që idealizmi italian pati në kuadrin e të menduarit të Pipës. Por, kjo është patjetër edhe një ditar ndjenjash, mendimesh dhe creod-je personale e shprehur me një gjuhë mjaft të arrirë. Po cilat janë ato elemente të credo-s jetësore të Pipës të cilat do të na ndihmojnë edhe për të kuptuar veprën e tij të mëvonshme studimore? Gjejmë në këtë traktat filozofik pohime të plota dhe të shtjelluara për

patriotizmin dhe internacionalizmin, për familjen si vlerë etike , për humanizmin si vlerë dhe përkushtim

për artin si formë supreme e të shprehurit e cila duhet të jetë në funksion edukativ, në kuptimin që i japin estetët kësaj fjale.

Përpara se të japim dhe të diskutojmë shembuj ilustrues për sejcilën nga këto vlera, nënvizojmë paraprakisht se nuk gjejmë në këto pohime zhvendosje apo luhatje në vlerat morale që Pipa deklaron në shkrimet e dy fazave të para të krijimtarisë së tij, përkundrazi, edhe nëse ndonjë vlerë shprehet e paqartë në periudhën përpara burgut, gjatë dekadës në fjalë nuk gjejmë zhgënjim, por përforcim dhe konsolidim të besimeve. Kështu, nëse tek profilet në revistën “Kritika” hasim një preokupim për patriotizmin si vlerë etike mbasi Noli, Migjeni, Konica, Fishta komentohen nisur nga mënyra sesi i shërbejnë atdheut, tek “Skicë…”shprehet besimi tek atdhedashuria si një vlerë e mirëfillte, si një vlerë në vetvete, madje edhe si detyrim moral.

” …shprehja e veprimit në këtë stad është veprimi patriotik. Ai që e do atdheun e vet me ndjenjë, do ta dojë ashtu siç është, me të gjitha vlerat e tij, por edhe me të metat e tij: do të egzagjerojë të parat dhe do të nënvlerësojë të dytat. Nëse do të jetë i aftë të bëjë një dallim ndërmjet këtyre përbërësve dhe t’i vlerësojë siç e meritojnë, kjo do t’i detyrohet ngritjes së tij personale, jo simpatisë shoqërore: arsyes më shumë se simpatisë. Kjo rrugë të çon tek barazia.

Patrioti i përkryer do ta dojë atdheun deri në atë pikë, sa mund të sakrifikojë edhe jetën për lavdinë e tij. Me këtë sakrificë supreme ai vërteton në mënyrë të prekshme se domëthënia e thellë e vetvetes nuk qëndron brenda kufizimit të trupit të tij, por në atë të atdheut të tij. Egoizmi individual është mundur përfundimisht. Dhe, në të njejtën kohë është mundur çdo pozicion i mendimit që përpiqet t’ja bashkëngjisë veprimin egoizmit…

Por Pipa ka ide të qarta për marrëdhënien midis patriotizmit dhe besimit fetar. Në citimin e mëposhtëm do të shohim një sistem vlerash të cilin do ta hasim të shtjelluar edhe më gjatë kur të flasim për gjykimin që Pipa ka për elementet ideologjikë qe gjejmë në personalitetin e Fan Nolit

Patriotizmi mund të jetë i përzier me besimin. Kur besimi është kombëtar,-ashtu siç qe në rastin e popullit hebre dhe siç është tek populli japonez,-besimi e thith patriotizmin, i cili hyn tek ai si një faktor, më i rëndësishmi i faktorëve. Por, nëse besimi është mbikombëtar(nën.im.H. Ç), prirja do të jetë që patriotizmi ta nënshtrojë besimin (nën.im.H. Ç). Kështu mund të ndodhe që dy kombe të të njejtit besim, të bëjnë luftë. Dhe mund të ndodhë që vetë patriotizmi të ngrihet në vlerë fetare; elemetët nuk i mungojnë për këtë: sakrifica e jetës merr gjithmonë një domethënie fetare dhe adhurimi i martirëve, këtu, ashtu si tek besimi dhe në çdo sferë tjetër, mund të ngrihet në dinjitet kulti, fakt ky që është praktikuar shpesh edhe në kohët e fundit. Dhe shpjegohet tashti sesi, për kombe të përbërë nga elementë të besimeve të ndryshme, vetëm patriotizmi mund të përfaqsojë tërësinë e veprimit. Vlera lartë e patriotizmit dhe humanizmi i tij i ngrohtë e drithërues nuk duhet, pra, të nënvlerësohen: ndjenja e atdheut është ende e veçantë për njerëzimin, egoizmi në të vazhdon të egzistojë. Por, sa më e lartë është kjo formë e egoizmit kolektiv të jetës kombëtare ndaj egoizmit meskin të individit? Kufizimet e këtij të fundit janë thyer përfundimisht, edhe pse kufizime të tjera, më të gjëra,janë ngritur. Mirëpo, qëllimi i njerëzimit, aty ku të gjitha pengesat do të thyhen, tashmë po duket. Atë që besimi s’mundi ta bëjë, do ta bëjë ndjenja dinamike patriotike e pastruar si duhet. Rruga drejt njerëzores nuk kalon nëpërmjet besimit, por nëpërmjet atdheut (nën.im.H. Ç)

Siç e kemi parë tek revista “Kritika”, por siç do ta shohim edhe tek shkrimet e periudhës së mëvoshme, Pipa, tek personalitetet e kulturës kërkon gjithmonë të hetojë dhe të diskutojë një dimension etik, dhe ky dimension i përhershëm është të qënit apostull në marrëdhënie me bashkëkombësit, e veçanërisht të qënit apostull i kulturës. Nga ana tjetër, edhe shkrimet e mëvonshme të periudhës së mërgimit dhe të atyre që korespondojnë me qëndrimin e tij në Sh.B.A, mund të kuptohen më qartë nësë presupozojmë se kuadri i të menduarit dhe të besuarit të Pipës ka qenë ai i një apostulli për popullin e tij. Tek “skicë…”, kjo del e qartë në trajtimin filozofik që Pipa i bën konceptit të gjeniut:

“… Unë kam menduar ta tejkaloj njeriun, jo te ndonjë “mbinjeri” imagjinar,as te një lloj specie e re, që ndoshta egziston tjetërkund, por jo në planetin tonë: por te vetë njeriu, tek ai njeri që quhet gjeni, që në fakt përfaqëson idealin, që është njëherazi real dhe ideal. Unë kam synuar jo tek ajo që është, por tek ajo që duhet të jetë, jo tek natyra, por tek tejkalimi i natyrës mbi vetë natyrën…

Dhe nëse e kam dëgjuar zërin e gjeniut, nëse e kam bërë timin mesazhin e tij, e kam bërë këtë ngase atje kam dalluar vetë zërin e njerëzimit, por të zmadhuar, të fortë, të qartë, sepse tek gjeniu kam dalluar atë që është më e mira tek unë, jehonën e shpirtit tim, aspiratën time të paqartë, që tek ai është qartësi lëbyrëse, nevojën e gjithë qënies sime për të marrë pjesë në ato vlera që i japin kuptim jetës sime dhe që tek ai gjenden në përmasa heroike, kurse tek unë në përmasa normale

Dhe më poshtë vjen ajo çka në e quajmë “apostullat” tek Pipa.

“…dhe e kam dashur sinqerisht këtë njeri të populit, edhe pse injorant, edhe pse i keq, sepse shpesh nuk është faji i tij që është i keq e aq më tepër i paditur; unë e kam afruar, për ta mësuar (nën.im.H. Ç), për të çliruar tek ai arsyen e prangosur, dhe për ta zhvilluar; edhe pse ishte i keq, kam dashur ta edukoj, që të kuptojë se çështë e mira, dhe për të mbjellë në shpirtin e tij, edhe pse të pabindur, me durim, me dashuri, ato fara mirësie nga të cilat do të lindë shëlbimi i tij. “

Por çfarë kupton Pipa me edukim të njerëzve, të popullatës. Natyrisht jo thjesht mësuesinë, por atë që u mundua të bëjë vetë nëpërmjet shkrimeve dhe atë që priste nga personalitetet, kur shkruante për to: Ai priste edukimin e virtytit në kuptimin më të gjërë të kësaj fjale

“Çdo njeri është i aftë të jetë i virtytshëm, dikush për hir të një prirjeje të natyrshme, dikush tjetër për hir të edukimit. Të parin duhet ta udhëheqësh, të dytin ta riformosh ose ta ndryshosh. Unë i besoj edukimit, madje ( e theksoj),duke e bërë edukimin, në kuptimin më të gjërë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit, por vetë moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv,si pedagogji dhe politikë (nën.im.H. Ç). Dhe nuk më shkurajon fakti se ligësia është aq e madhe në këtë botë, saqë edukimi nuk merr shumë pah. Unë e di se njerëzimit i janë dashur miliona vjet që të bëhet kështu siç është: një përzierje e së mirës me të keqen-ku mbizotëron kjo e fundit- dhe se edukimi nuk mund të gërryejë aq lehtë bërthamën e tij; se duhet kohë, shumë kohë, për të zhbërë e për të ribërë çka është bërë më parë; se, nga si është, tek si duhet të jetë në jetë, është një rrugë e gjatë dhe frytet e edukimit piqen vonë, ashtu si ato të pemës së ullirit. Por, që edukimi është i efektshëm, që ai mund ta riformojë njeriun, që mund, në mos ta çrrënjosë, të paktën të bëjë që të heshtë tek ai kafshëria, kjo është fare e qartë….”

Pipa është i qartë dhe mjaft realist në atë se çfarë pret nga vetja dhe të tjerët. Citimi i mëposhtëm shpreh qartë edhe vlera të tjera të cilat përbëjnë credo-n e Pipës dhe që do të reflektohen siç do e shohim në kapitujt që do të vijnë edhe në gjykimet e tij letrare siç ndodh kur flet për Kadarenë apo edhe për Nolin.

“Fanatiku i mendimit të kulluar mund ta kalojë tërë jetën duke shkruar libra, duke zbrazur herë pas here kupa kafeje për të nxitur trurin. Por kjo nuk është rruga e drejtë.

Kam një familje me të cilën jam i lidhur, me lidhje mishi e gjaku: do të filloj nga përmbushja e detyrave të mia të familjes. Dhe mund ti përkas një grupi shoqëror, një kishe apo një partie politike, që më imponojnë detyra edhe më të gjëra. Dhe, nëse s’kam kishë apo parti, kam sigurisht atdhe. Prindërve të mi u detyroj qënien time si person fizik, atdheut personin tim moral.Vetëm një qënie e pamoralshme mund të shmanget nga detyrimet e tij ndaj atdheut: mosmirënjohja këtu prek imoralitetin (nën.im.H. Ç)”

Arshi Pipa, në shumë shkrime të veta flet për një përmasë të humanitetit, një përpasë kjo që ai e heton dhe e përdor kriter vlerësimi pothuajse për të gjithë autorët që shkruan. Se çfarë kupton ai me “humanitet” apo “njerëzore”, shprehet më poshtë tek “Skicë…”

“Njerëzorja nuk është vetë një ideal formal, një “ide” që rri varur në ndonjë qiell të utopisë e pret ta zbresin në tokë; njerëzorja ka një përmbajte të përcaktuar mirë, të gjallë, të zjarrtë, e cila përbehet nga përmbajtjet e ndryshme etike, ashtu siç janë realizuar në histori, me diçka më tepër, që është fryma universale, vula e përhershme e shpirtit. Njerëzorja fillon nga familja, për të përqafuar të gjithë specien; ajo gjendet tek dhimbja e shenjtë e nënës, ashtu si tek devotshmëria ndaj kauzës vetjake; tek sakrifica e jetës së martirit për atdheun, ashtu si tek ajo e Giordano Bruno-s për idealet e shkencës. Dhe, sigurisht, në këtë formën e fundit ajo arrin një intensitet të atillë, sa që, vetëm kur e mendon, të duket se gjoksi po të shpërthen nga emocioni. Njerëzorja, në çdo akt njerëzor që ka vulën e universales dhe të së përjetshmes, të udhëheq te tejkalimi i vetvetes.

Tek “Mbi gjeniun”gjejmë një tjetër pohim:

…Patriotizmi është një ndjenjë fisnike me frymëmarrje të gjerë; por ka të metën se është i pjesshëm. Atdheu qëndron përballë njerëzimit, si pjesa përmballë së tërës. Veprimi nuk mund të jetë i plotë derisa të mos e arrijë të tërën. Këtë e arrin veprimi moral, i cili vulos universalitetin dhe vazhdimësinë. Dhe, sigurisht, njeriu i zakonshëm është i zoti ta realizojë veprimin moral, kur përdor mirë arsyen…

Kjo paraqitje me shembuj dhe citime nuk kishte ndopak synim të përshkruante “Skicë…” si një traktat filozofik. U munduam ta trajtojmë atë si një ditar mendimesh i mbajtur në burg. Nga ana tjetër, elementët që kemi vënë në dukje janë mjaft ilustrues për të demonstruar ato vlera etike që do të bëhen kuadri i të menduarit të Pipës me të cilin do të përpiqemi, në shkrimet e tjera, të krijojmë një sistem të profilit më të gjërë studimor të tij.

Periudha e “Mërgimi-t” (1957-1965) si edhe e qëndrimit në “Sarajevë (1957-1958)

“…larg atdheut, prej të cilit auktori u-detyrue të ikë, qi të mundet pikërisht me ba dhe me botue libra të këtillë. Ai nuk asht i sigurtë se do t’i premtojë jeta për me hy edhe nji herë n’atdhe. Por asht i bindun se librat e tij do të hyjnë. E asht i bindun gjithashtu se lycej klasikë prap do të ketë në Shqipni”

Në burg Pipa preku ekstremin e vuajtjeve fizike dhe shpirtërore. Në vend që të dobësohej siç ndodh rëndom në raste vështirësish dhe fatkeqësish, u përforcuan tek ai karakteristikat e humanitarit. Në Sarajevë, ku vendoset mbas arratisjes, i rikthehet letërsisë romake. Mbas humanitarit pra, vjen humanisti. Përktheu një tufë lirikash latine, dhjetë autorë, njëqindeshtatë poezi, 2204 vargje. Duke dashur “t’a lajë ma thellë vulën e mendjes së vet”shkruan edhe nja 35 faqe “Prospekt historik i lyrikës latine/ Shënime mbi lyrikën popullore”. E për më tepër, pothuajse çdo poezi shoqërohet me komentin e përkthyesit, shpjegimet kanë të bëjnë më metrikën e poezive dhe me kontekstin kulturor dhe historik të tyre. Kemi pra më shumë sesa një përkthim.Kemi adhurim për kulturën klasike, për vlerat që trasmetonte ajo, shohim pra, tek Pipa, Humanistin. Përveç kulturës personale dhe njohjes së thellë të letërsisë antike ai shfrytëzoi, siç mesojmë në shënimin në kopertinë të vëllimit, edhe Bibliotekën Popullore të Sarajevës dhe Bibliotekën e Seminarit të Latinishtes pranë Fakultetit të Filozofisë së Sarajevës. Bashkëpunon atje me studiuesin e njohur të latinishtes Petar Pejôinovic.

Antologjia “Lyrika Latine” në aspektin kronologjik vjen menjëherë mbas “Skicë për konceptimin e jetës…” të shkruar në burgun e Burrelit. Kujtimet, domosdo, nuk ishin aspak të largëta, përkundrazi. Por ato vlera, ato elemete të credo-s dhe të botëkuptimit në të cilat besonte dhe i shpreh në burg, sapo gjen rastin, i vë në jetë. Dhe si! Azili politik në Sarajevë një njeri si Pipa do ta bënte domosdoshmërisht të përfundonte në bibliotekë. Përmendëm pak më sipër se Pipa besonte tek filozofia e “artit për edukatë”. Por ai besonte edhe tek virtyti, dhe se virtyti mund dhe duhej të edukohej. E risjellimin edhe një herë në vëmendje citimin:

Unë i besoj edukimit, madje ( e theksoj),duke e bërë edukimin, në kuptimin më të gjërë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit, por vetë moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv,si pedagogji dhe politikë”

Dhe në Sarajavë ai nuk mund përpos të gjente rastin të jepte shembullin e “moralit në veprim” . Shtysa e brendshme, e thellë, e nënvetëdijshme për të hartuar antologjinë e “Lyrikës…” ishte adhurimi për kulturën klasike greke dhe romake dhe mbi të gjitha vlerat që ajo përçon në kohëra:

“Ai që shkruen kto radhë e çmon tepër kulturën klasike për me kqyrë me indiferencë fatin e saj. Ai mendon se kultura klasike, burimi i kulturës sonë, asht baza e çdo kulture të vërtetë. Ai mendon se dekadenca e letërsisë shqipe gjatë breznis së rritun mbas luftës së parë botore, në krahasim me letërsinë shqipe të kohës së mëparshme, shpjegohet, ndërmjet të tjerash, edhe me arsyen se kultura humaniste e asaj kohe u-la “në hije”. Në kohnat e fundme, në “Shqipnin e re” ajo asht lanë-pak me thanë-mas dore, në dobi të “kulturës industiale”

“Pengesat artificjale që sot i vehen kulturës ndër disa vende nuk do të vazhdojnë për jetë të jetës. Do të kalojë edhe kjo kohë e soçme, e travajueme, e mundshtueme, me pasjone e shpërthime ideologjike që grisin trupin e njerëzimit. Ajo “humanitas” (nënvizimi im H.Ç), shenj i kulturës klasike dhe ideal etik i ma të mirëve dhe ma të denjëve ndër njerëz, do të mund të arrihet kryekëput kur njerëzimi të konsolidohet, me të gjitha divergjencat e pajtueme, në njisin e vet të natyrshme gjeografike. Tue pritë durueshëm kët ditë, ose së paku tue e paranderrue, njeriu i lavruem të japë çka mundet në kët vështrim”

Kemi me këtë libër atë fenomen të evoluimit të Pipës që në nyrje të këtij kapitulli e quajtëm “ndërkombëtarizim”. Ai beson se njerëzimi do të “konsolidohet…” në “njisin e vet të natyrshme gjeografike”. Ndërsa tek “skicë…” ai filozofon dhe shprehet me simpati në favor të një “qeverie botërore”

Shtysa e dytë për hartimin e kësaj vepre, ajo e dukshmja, ajo që kapërcen veteveten dhe egoizmin e shprehur në të kënaqurit me shijimin dhe diskutimin e autorëve klasike, është nevoja e perceptuar e Pipës për të hartuar një antologji të lirikës romake të tillë që të plotësonte nevojat e shkollave, sidomos të gjimnazeve filologjikë, (liceve klasikë). Është natyra e një teksti shkollor ajo që ka përcaktuar, midis të tjerash, edhe kriterin e përzgjedhjes së autorëve dhe renditjen e tyre, përmasën e teksteve që përfaqësojnë sejcilin, lënien jashtë të ilustrimeve nga poezia elegjiake, si edhe përdorimin e autorëve dhe përkthimin e teksteve në funksion të shpjegimit të metrikës së vargut latin. Pothuajse çdo tekst poetik është shoqëruar me komente të gjata të natyrës filologjike. Në vitin 1958, kur u përfundua ky libër, Pipa shprehet se në Shqipëri, mësuesve të gjimnazeve ju mungonte një tekst i tillë.

Libri nuk ka sesi të konsiderohet thjesht përkthim dhe përmbledhje. Kjo do të ishte më e pakta që mund të thuhet. Ajo është një vepër e mirëfilltë pedagogjike dhe me një skrupulozitet prej studiuesi. E dëshmon këtë midis të tjerash hyrja e punimit “Prospekt historik i lyrikës latine”, rreth 43 faqe, dhe “shënime për metrikën” në fund të librit, rreth 20 faqe. Të dy këto tekste janë në rastin më të mirë informative dhe shpesh herë ispirues për të lexuar autorët latinë. Pipa, edhe në këtë rast, nuk mund të rrijë pa u ngritur në nivelin e studiuesit. Tekstet përfshijnë edhe shumë gjykime personale, por që Pipa, në respekt të rigorozitetit shkencor, i vë në dukje si të tilla.

Autori përfundon duke thënë se ka ndërmend që një gjë të tillë, pra një antologjie për shkollat e mesme, ta hartojë edhe për lirikën greke. Mesa dimë deri tani, një gjë e tillë nuk u realizua.

Në Sh. B. A.

Nga Sarajeva emigroi në Sh.B.A. Biografi i tij Uran Kalakula na thotë se për një farë kohë bëri punë të rëndomta, e pastaj fillon në një universitet, fillimisht duke dhënë mësim kurse të filozofisë e më pas të italianistikës. Në ditarin e tij poetik “Autobiography” Pipa e rikujton këtë periudhë me vargjet: (përkthimi është i imi dhe është në një stil shumë të lirë dhe pa pretendime cilësie)

Age has softened my temper,

I was adamant in my youth.

Captivity my purgatory,

exile a milder surrogate,

freedom in the new world its own

caricature, marriage a blunder,

academia a relentless struggle

not to sink in the Stygian marsh.

Mosha ma ka zbutur temperamentin,

Në rini isha aq i pasionanat dhe i vendosur.

Burgu ishte purgatori im,

mërgimi një surrogat më i butë i të parit,

liria në botën e re një karikaturë

e vetvetes, martesa një pakujdesi,

jeta akademike një luftë e pambarim

që të mos zbrisja më në kënetën e ferrit

Nuk ishte më shumë sesa 50 vjeç kur shkroi këto vargje, duhet të kenë qenë rreth 15 vjet mbasi kishte dale nga burgu dhe kishte fituar një grant për të studiuar dhe mbledhur materiale për De Radën dhe letërsinë arbëreshe. Vizita studimore nga universitetet amerikane në Itali (1970-1971) duhet të ketë provokuar rikthimin mendor dhe shpirtëror në vlerat europiane. Këto vargje, në gjuhën angleze, pra për një auditor anglishtfolës, kanë një vulë danteske. “adamant” (i vendosur,këmbëngulës) është është fjalë e fjalorit të anglishtes, por me prejardhje italiane. Më tutje vjen “purgatory”, purgatori, i cili përdoret në të njejtën vlerë shprehëse si tek Dantja, jeta në botën Sh. B.A. përshkruhet si një karikaturë e lirisë. Por në shkrimin tonë ne jemi të fokusuar tek vepra studimore, të cilën kuptueshëm do ta zhvillonte në mjediset akademike amerikane. “Academia a relentless struggle/not to sink in the Stygian marsh” shprehet ai. Përsëri ngjyra dantekske. “Stygian” i referohet lumit Styx i cili në mitologjinë greke ishte njëri nga lumenjte i cili i çonte te vdekurit në kënetën e Had-it. Styx përmendet me të njejtën referencë tek “Komedia hyjnore” e Dantes. Hamendësojmë se periudha nga viti 1958 e deri të paktën deri në vitin 1966, kohë kur fiton një vend me kohë të plotë si profesor në universitetin e Minesotës duhet të ketë qenë periudhë ku i duhej të mbijetonte duke përdorur ndoshta të vetmen aftësi, atë intelektuale, në kushtet e një tregu të punës akademike që ishte kompetitiv dhe dinamik, kuptueshëm sifues për një emigrant.

Të thuash se për të mbijetuar, ish i burgosuri politik shqiptar dha mësim kurse të filozofisë, të italianistikës dhe estetikës në universitetet amerikane, me materialin që kemi sot në dorë, është nënvlerësim. Sigurisht italianistika dhe filozofia e mirëfilltë, po të gjykojmë nga vëllimi i veprave që kemi në dorë, nuk duhet të ketë qenë ajo çka ai kishte për zemër të bënte. Kthimi fizik në Shqipëri nuk ishte më as një “paraandërr”, por një mundësi e përjashtuar. Dijet në fushën e albanologjisë hynin pak në punë për të mbijetuar. Kemi në këtë fazë përpjekjen, por edhe aritjen tjetër të madhe të Pipës, prezantimin intelektual në qarqe akademike që ishin, në thelbin e tyre, të huaja. Nuk kemi shumë vepra në albanologji në këtë periudhë, por kemi një debutim serioz në fushën e italianistikës dhe filozofisë. Në jetëshkrimin që ka lënë ai vetë, është relativisht i madh numri i botimeve, pjesëmarrjes në konferenca dhe materialeve studimore-mësimore të lëna në këtë fushë. Në shkrimet për filozofinë, trajton gjatë filozofin italian Pico della Mirandola (filozof italian i rilindjes evropiane, 1463-1494), siç thotë edhe njohësi dhe bashkëpunëtori i tij Peter Bartl në një parashtrim që bën për veprën e Pipës[xlii]. Ndërsa në italianistikë kulmoi më studimin ““Montale dhe Dante” (Minneapolis 1968) i cili u përkthye në vitin 1975 edhe në italisht. Një shikim i shpejtë në literaturën e kësaj fushe na tregon se ato kanë patur një jehonë të konsiderueshme në mjediset akademike dhe janë shumë të referuara në revistat dhe botimet e specializuara. Pavarësisht kritikave, gjë kjo e zakonshme dhe e shëndetshme në lëmin e akademizmit, të gjithë studiuesit bien dakort për euridicionin e Pipës nga njëra anë dhe nga ana tjetër për seriozitetin (“scholarship” ) e studimeve të tij. Kishte arsye pra, Pipa, ti përkushtohej asaj karriere akademike që i dha dhe mbijetesën.

I gatshëm për një prezantim intelektual të vetvetes në rrafshin ndërkombëtar, e gjejmë në periudhën 1966 e deri në fund të karrierës zyrtare si anëtar në organizatave presitigjioze akademike.

Ça ira (1966-1989)

Me këtë titull gjejmë të përkufizuar tek (Autobiography) periudhën gjatë të cilës ai qëndroi në universitetin e Minesotës. “Ça ira” (gjithçka do të bëhet mirë) ishte titullli i një kënge shumë të përhapur franceze me të cilin Pipa sugjeron peridizimin e viteve (1966-1989)

Kur flet për veprën e Camajt tek “ Contemporary albanian literature” Pipa shprehet:

Në shumë aspekte, Martin Camaj është tipik si një intelektual i Evropës lindore i cili për arsye politike lë vendin dhe endet nga një vend në tjetrin. Por sapo vendoset diku- ketë herë nuk është më i ri- e ndjen se e ka të pamundur të hedhë rrënje në tokën e re. Nostalgjia për vendlindjen e ndjek pareshtur. Dhe në ndodhtë të jetë shkrimtar, ai e shpreh këtë nostalgji duke synuar ta moduloje atë mbi një temë themelore, atë të Humusit (nën im. H.Ç)të tij kulturor.

Një gjë e tillë mund të thohet padyshim për vetë Pipën, por në rastin tone jo më në fushën e poezisë, por në fushën e studimeve albanologjike. Kur vendoset në universitetin e Minesotës në vitin 1966, ai duhet të ketë ndjerë se në aspektin praktik u stabilizua. Kishte nisur tashmë një karrierë të suksshme dhe të mjaftueshme në mësimdhënie dhe në studimet në italianistikë dhe filozofi dhe me angazhimin në hapjen e programeve të plota në master e doktoraturë në italianistikë kishte arsye të ndjehej krenar dhe i vetërealizuar. Por studiuesi përballet me një tjetër fenomen, të ngjashëm me atë që përshkruan tek Camaj: …”sapo vendoset diku-këtë herë nuk është më i ri- e ndjen se e ka të pamundur të hedhë rrënjë në tokën e re. Nostalgjia për vendlindjen e ndjek pareshtur”. Peter Bartl, historiani i njohur dhe një nga bashkëpunëtorët e tij na thotë se krenaria më e madhe e Pipës ishte që arriti të bëhet iniciator dhe drejtues i programeve universitare të mësimit të shqipes dhe kulturës shqiptare:

Ai ishte veçanërisht krenar që ia arriti qëllimit, që duke filluar nga viti 1981 të mund të zhvillonte kurse të rregullta diplomimi në Albanologji (gjuhë dhe kulturë shqiptare”

“Humusi” i tij kulturor ishte padiskutim kultura shqiptare. nga viti 1966 deri në vitin 1975 merret me atë që do të jetë magnum opus i jetës së tij studimore; “Trilogia Albanica”, rreth 800 faqe mbi metrikën e vargut popullor shqiptar, mbi aspektet sociologjike dhe ideologjike të veprës së De Radës, mbi sociologjinë e letërsisë shqipe, veprën e Migjenit, si edhe një indeksim dhe katalogizim të studimeve në fushë të albanologjisë, shto këtu edhe një periodizim të letërsisë shqipe nga fillimet e saj deri në vitet ’70-të. Praktikisht është tërë historia e letërsisë shqiptare, por e shkruar nga një këndvështrim tjetër. Kjo histori prodhimi kulturor dhe letrar nis me të çmuarit lart të folklorit jo vetëm si pasuri kombëtare-duke bërë një analizë shumë shkencore dhe akademike të vargut popullor shqiptar ai hedh hipotezën se natyra e këtij vargu mund të jetë një tjetër dëshmi për të provuar lashtësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve-por edhe si pararendës të drejtpërdrejtë të letërsisë së shkruar (motivi për tu marrë me metrikë e vargut popullor shqiptar atij i erdhi nga studimi i metrikës së veprës së De Radës). Vëllimi i dytë, ai i cili ka edhe numrin më të madh të faqeve i kushtohet poetit italo-shqiptar De Rada. Ky vëllim është monumental sa i përket materialit të shfrytëzuar, dokumenteve autentike, materialit shumë të bollshëm bibliografik që e shoqëron si edhe sa i përket metodologjisë së ndjekur. Hetimi i përbërësve ideologjikë dhe influencave kulturore në veprën e poetit është temë qëndrore në vepër.Vëllimi i tretë e ka shumë më të qartë përpjekjen për të shkruar një histori të letërsisë shqiptare, por duke e parë nga një perspektivë e mirëfilltë socio-kulturore. Kapitulli mbi bibliografinë e studimeve në fushën e gjuhës, historisë dhe kulturës dhe qytetërimit shqiptar së bashku me kapitullin mbi periodizimin e letërsisë shqipe mund të kishin përbërë një vëllim më vete, vëllimin e katërt të serisë.

Në hyrje të “Albanian literature- a social perspekctive” Pipa shprehet se:

“Studimet shqiptare në të kaluarën kur Shqipëria nuk kishte qendra të mirëfillta të të mësuarit ishin pothuajse eksluzivitet i të huajve. Situata ka ndryshuar kohët e fundit, dhe veçanërisht në dy fusha, histori dhe arkeologji, janë studiuesit shqiptarë ata që udhëheqin. Nën një ndikim të kombinuar nga njëra anë prej Çabej, përfaqsuesi në Shqipëri i shkollës klasike austriake në gjuhësi dhe nga ana tjetër gjuhëtarëve sovietikë, në Shqipëri është shfaqur një ekip gjuhëtarësh të rinj, shumica e të cilëve është specializuar në dialektologji. Edhe arkeologjia gjithashtu ka përparuar me shpejtësi si rezultat i gërmimeve të reja të cilat kanë nxjerrë në dritë materiale nga më interesantet. Disa nga këto gjetje janë të tilla që hedhin dritë edhe në periudhën e lashtësisë së historisë së Shqipërisë. Megjithatë, historianët shqiptarë tentojnë ti interpretojnë këto të dhëna nga një këndvështrim i ngushtë nacionalist. Një gjë e tillë shpjegon se përse historiografia shqiptare ka mbetur akoma mbrapa dhe iniciativat në këtë fushë mbeten tek të studjuesit e huaj: shkolla e Mynihut e drejtuar nga Stadtmuller dhe, në Itali Valentini (për periudhën bizantine dhe veneciane)

Ishte pra ky dhjetëvejcar (1966-1978) në të cilin u prodhua një korpus studimor me një këndvështrim njëherazi atdhetar dhe internacionalist dhe trajtimi i kësaj periudhe meriton një shkrim të posaçëm

Epilogue (1990-1997)

Po ashtu njëshkrim të posaçëm meriton edhe prodhimi studimor dhe publicistik i Pipës në vitet (1990-1997) të cilin unë e quaj “Epilogue”. Nuk mund të mos përfshihen në biografinë intelktuale të Pipës -studime per kosoven1984 1987 the politics of language, stalinizmi shqiptar-1990, 1991 Contemporary albanian literature, “Dielli” (nga viti 1990 deri në qershor të 1992), kontributi në “Albanica”, në “Telos, Editorial Board, 1988, dhe Telos, special issue: Perestroika and East Europe” 1979. Por një gjë të tillë do ta bëjmë nëshkrimet e mëvonshme…

Korrik 2020// nga Hektor Çiftja

Linku i publikimit: https://gazetadielli.com/arshi-pipa-misionari-poeti-studiuesi/?fbclid=IwAR1DNMtqYZo4IY4-OcPMkWnyUnmmEOqi6ZwJVzaZaU5g_enIrNViiyNqbEI

*E falenderojmë profesor Hektor Çiftja që e dërgoi studimin për Diellin, të cilin Prof. Arshi Pipa e editoi për më shumë se një vit, ndërkohë që ishte bashkëpunëtor që në krye të herës, kur erdhi në SHBA.