Statusi i edukimit mediatik; nga vepra kanonike tek kultura masive

May 8, 2020

Statusi i edukimit mediatik; nga vepra kanonike tek kultura masive.

(Rasti shqiptar)

Hektor Çiftja (Universiteti “A. Xhuvani” në Elbasan)

për Konferencë Ndërkombëtare “Letërsia dhe Media-një perspektivë krahasuese”

19-20 Nëntor 2015

Elbasan: 19-20 Nëntor 2015

 

parashtrim

Autori i njohur shqiptaro-american, prof. Arshi Pipa, gjate vendosjes se tij ne Sarajeve ku vendoset mbas arratisjes nga burgjet shqiptare i rikthehet letërsisë romake. Përktheu një tufë lirikash latine, dhjetë autorë, njëqindeshtatë poezi, 2204 vargje. Duke dashur “t’a lajë ma thellë vulën e mendjes së vet”[i] shkruan edhe nja 35 faqe “Prospekt historik i lyrikës latine/ Shënime mbi lyrikën popullore”[ii]. E për më tepër, pothuajse çdo poezi shoqërohet me komentin e përkthyesi, shpjegimet kanë të bëjnë më metrikën e poezive dhe me kontekstin kulturor dhe historik të tyre. Kemi pra më shumë sesa një përkthim.Kemi adhurim për kulturën klasike, për vlerat që trasmetonte ajo.

E meqë kjo konferencë është po aq sa për letërsinë, ashtu edhe për massmedian, e gjej me vlerë të citoj disa paragrafë të shkruar nga Pipa në periudhën 1957-1965 dhe të publikuara nëvëllimin “Lyrika Latine”, (Botimet “Phoenix”, Tiranë, 2000).E pra midis të tjerash, tek “Skicë për konceptimin e jetës” ai thotë:

Unë i besoj edukimit, madje ( e theksoj),duke e bërë edukimin, në kuptimin më të gjërë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit, por vetë moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv,si pedagogji dhe politikë”

ndërsa tek “Lyrika” kemi një shtjellim më të gjërë

“Ai që shkruen kto radhë e çmon tepër kulturën klasike për me kqyrë me indiferencë fatin e saj. Ai mendon se kultura klasike, burimi i kulturës sonë, asht baza e çdo kulture të vërtetë. Ai mendon se dekadenca e letërsisë shqipe gjatë breznis së rritun mbas luftës së parë botore, në krahasim me letërsinë shqipe të kohës së mëparshme, shpjegohet, ndërmjet të tjerash, edhe me arsyen se kultura humaniste e asaj kohe u-la “në hije”. Në kohnat e fundme,në “Shqipnin e re” ajo asht lanë-pak me thanë-mas dore, në dobi të “kulturës industriale”.

“Pengesat artificjale që sot i vehen kulturës ndër disa vende nuk do të vazhdojnë për jetë të jetës. Do të kalojë edhe kjo kohë e soçme, e travajueme, e mundshtueme, me pasjone e shpërthime ideologjike që grisin trupin e njerëzimit. Ajo “humanitas”, shenj i kulturës klasike dhe ideal etik i ma të mirëve dhe ma të denjëve ndër njerëz, do të mund të arrihet kryekëput kur njerëzimi të konsolidohet, me të gjitha divergjencat e pajtueme, në njisin e vet të natyrshme gjeografike. Tue pritë durueshëm kët ditë, ose së paku tue e paranderrue, njeriu i lavruem të japë çka mundet në kët vështrim”[iii]

E sollëm këtë citim, jo nëfakt duke ju referuar Arshi Pipës si studiues i gjuhes dhe i kuturës, por Arshi Pipës si arsimtar, njeri që beson se disa vlera duhet të ekzistojnë pa diskutim në mësimëdhënie. E në këto vlera, ai domosdo që përfshinte njohjen e letërsisë klasike geo-romake. Dhe nuk ishte i vetmi, prej dy mijë vjetësh kish ndodhur e njejta gje.

Situata sot është e tillë, duke dashur ti shërbejmë në dukje pragmatikës, duke dashur të integrojmë kulturat e nënkulturat në mësimdhënien e gjuhës, nën supozimin se tekstet mediatike janë të së njejtës rëndësi me tekstin letrar, duket sikur nocioni i kompetencës gjuhësore ka marrë shumë terren dhe ka filluar të zëvendësojë dalëngadalë konceptin e “Cilësisë së përdorimit të gjuhës”, së cilës më së shumti i shërben njohja e thellë dhe në moshë shkollore e veprave që përbëjnë kanonin e prodhimit letrar të dy mijë vjetëve. Në kumtesën tonë do të prezantojmë tezën sipas së cilës, në mësimdhënien e lëndës së gjuhës dhe letërsisë në shkollat e mesme, duhet shkpëtur njëherë e mirë ato elemente, faqe librash dhe orë mësimore të cilat merren me kompetencat që i përkasin “media literacy”. Vetë kështu, ne do të kemi një formim më të mirë me shprehi praktike të domosdoshme të një shtetasi 18-vjeçar me bazat e edukimit mediatik nga njëra anë, por edhe pa humbur shprehitë, dhe sidomos pa humbur mundësinë për të “farëktuar shijen letrare” duke bërë një eksursion arsimor nëpër kolosët e letërsisë. Kjo do të shpëtojë edhe edukimin mediatike, edhe letërsinë.

Dy fjalë për idetë që qarkulojnë sot rreth edukimit mediatik

sot në mjediset akademike perëndimore, por edhe në Shqipëri bëhet një dallim midis arsimimit mediatik, arsimimit për median, (edukimit për median) dhe edukimit nëpërmjet medias. Që nga vitet 30 në Kanada e më pas në Sh. B. A. është bërë një punë e madhe e cila ka marrë kohë për të kaluar nga ajo që ishte në fillim: edukim nëpërmjet medias, në edukim për median, për të arritur në konceptin e sotëm të arsimimit apo edukimit mediatik. Edhe pse duken koncepte të përafërta, këto dallojnë në mënyrë thelbësore në vetë filozofinë që mbartin apo veçoritë e reja që përfaqësojnë. Kështu, edukimi nëpërmjet medias, edhe pse mediet janë relativisht të reja në historinë 2 mijë vjeçare të arsimit, në fakt ka nënkuptuar arritjen e objektivave tradicionale mësimorë dhe sidomos të atyre objektivave që kanë të bëjnë me formimin humanist të nxënësve duke i ilustruar me format e reja të teksteve mediatike, siç ishte fillimisht vetë libri, më pas artet pamore dhe në veçanti piktura për të ardhur në ditët tona në përdorimin e multimedias qoftë internetit apo detyrave me projekte krijuese. Me fjalë të tjera, kur një mësues e historisë, u propozon nxënësve të krijojnë një film të shkurtër, me kamera amatore për objektet turistike të qytetit të lindjes, gjë që pa diskutim është shumë frymëzuese si për nxënësit ashtu edhe për vetë mësuesin, ai në fakt, më tepër sesa elementet teknikë të filmimit apo të përdorimit të kamerës, është duke frymëzuar nxënësit të përforcojnë njohuritë në fushën e historisë dhe duke e sjellë njohurinë në kuadrin e të menduarit të nxënësit bashkëkohor.

Edukimi për median, koncepti i dytë, ka lindur si reagim ndaj faktit që mediet siç është sidomos kompjuteri janë bërë pjesë e pandashme e jetës së nxënësit.

Mediet dhe veçanërisht kompjuteri, në këtë rast shihen si objektet të cilat duhen dhënë mësim, qoftë si lëndë më vete, siç janë lëndët e që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit, me zhanret e të shkruarit/ të komunikuarit që hasen në gazeta, radio-televizion, apo internet. E domosdoshme edhe një gjë e tillë për stadin e zhvillimit të të menduarit të nxënësit bashkëkohor, por edhe për aftësitë e tij të jetës në mjedisin e punës.

Objekti i këtij punimi është në fakt një koncept paksa i ndryshëm, arsimimi mediatik, ose ajo që në botën anglosaksone njihet si media literacy apo media education.

“Media literacy” ose “lufta kundër analfabetizmit mediatik” është një veprimtari e domosdoshme e institucioneve arsimore te cilat janë te vetëdijshëm se na duhen edhe qytetare me te mire edhe konsumatore me te përgjegjshëm. Pra janë dy përbërësit e fundit ato që e dallojnë këtë koncept nga ai i “edukimit nëpërmjet medias” dhe ai i “edukimit për median”. Alfabetizmi mediatik, përfundimisht është përkufizuar si aftësia për te aksesuar, analizuar, vlerësuar, prodhuar mesazhe ne formate te ndryshme te medieve. E formuluar si e tillë edhe në dokumentet e këshillit të Evropës edhe në dokumentet e UNESCO-s, shohim këto një dimension të ri dhe të ndryshëm, dimensionin e formimit qytetar të aftësimit të një nxënësi i cili pritet që në kontekstin e një “bombardimi” me mesazhe mediatike, të jetë i aftësuar që nga njëra anë të marrë vendime të përgjegjshme dhe të mirinformuara politike, dhe nga ana tjetër ta përdorë median në funksion të synimeve publike.

Ka edhe një përmasë tjetër, një kontekst tjetër historik pa të cilin nuk mund të kuptohet arsimimi mediatik në formulimet që i japim sot. Bëjmë fjalë për arsimim mediatik vetëm në kontekstin e një gjithëpranie të mesazheve mediatike të çfarëdo lloji të cilat rrethojnë individin e zakonshëm, në kontekstin e një shoqërie më pak komunitariane dhe më shumë masive, të një shoqërie me sistem politik të bazuar tek pluralizmi dhe vota e lirë, dhe me një sistem të tregut të lirë dhe të sipërmarrjes së lirë private. Njësoj siç ndodhi me lëvizjet iluministe që tentonin të luftonin në masë analfabetizmin në Evropën perëndimore dhe Amerikën e veriut vetëm mbas formimit të shteteve- kombe, me një sistem ekonomik të ndryshëm nga feudalizmi dhe në të cilën ishte nevoja për një forcë punëtore të kualifikuar ajo që shtroi kërkesën për përkufizimin e analfabetizmit dhe gjetjen e mënyrave për minimizimin e tij.

Duhet pra, që edhe arsimin mediatik, qoftë në botë perëndimore, qoftë në Shqipëri, ta shikojmë të ndarë në dy periudha: në periudhën përpara sesa masmediat dhe mesazhet mediatike të ishin kaq të pranishme dhe të rëndësishme në jetën tonë, dhe në periudhën mbas saj. Në Shqipëri, një periudhë e tillë korrespondon me hyrjen e mijëvjeçarit të ri, pra me vitet 2000, sepse nga njëra anë kemi një shtim të jashtëzakonshëm të medieve radiotelevizive në gjuhën shqipe, një përhapje të jashtëzakonshme të internetit, një agresivitet shumë më të madh nga ana e reklamuesve, dhe një vendimmarrje politike dhe konsumatore të qytetarit të thjeshtë e cila është shumë më pak komunale dhe shumë më tepër e bazuar në tiparet e shoqërisë masive, pra një vendimmarrje të varur nga mediet. Sistemi arsimor, për vetë natyrën e tij 2000 vjeçare konservatore, do të reagojë me shumë vonesë ndaj këtyre ndryshimeve, ose do të reagojë vetëm në sipërfaqe.

Parahistoria

Mund të flitet pra për një parahistori të arsimimit mediatik, duke ju referuat me këtë periudhës kur punohet në një drejtim të caktuar edhe pse konceptet nuk janë formuluar në stadin që kemi sot apo me synimet që kemi sot. Kështu në Shqipëri kemi pasur dhe kemi një arsimim mediatik të popullatës i cili funksionon nëpërmjet

  1. strukturave të cilat përgatisin profesionistët e ardhshëm në fushën e shtypit të shkruar, radios, kinemasë, gazetarëve të videos dhe internetit, redaktorëve, regjisorëve, aktorëve, fotografëve. Departamenti i gazetarisë i universitetit të Tiranës dhe degët e gazetarisë në rrethe kanë tashmë një veprimtari 20 vjeçare. Po kështu, një kontribut me mjaft vlerë ka dhënë Instituti shqiptar i medias si edhe financime dhe projektet të panumërta të donatorëve të huaj
  2. kurse të veçanta të përfshira në disa programe të përgatitjes së mësuesve qoftë në nivelin universitar, qoftë në nivelin master.
  3. arsimimi mediatik në formën e arsimit të integruar në lëndë të veçanta, lëndë më zgjedhje, veprimtari klubesh si pjesë e arsimit të përgjithshëm parauniversitar etj
  4. Edhe pse ndodh në mënyrë të pakontrolluar dhe të pastrukturuar, mund të bëjmë fjalë edhe për një edukim mediatik që vjen nga kontakti i vazhdueshëm e të rinjve me median, të rinj të cilët duke aplikuar aftësitë e përgjithshme të të menduarit kritik nga kontakti i përditshëm me materialet mediatike, kanë arritur shpeshherë me sukses të përvetësojnë bazat e saj

Thënë ndryshe, mjedisi shqiptar nuk është i papërgatitur për të reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në fushën e medias, qoftë në aspektin e ekspozimit mediatik të popullatës, qoftë në aspektin e atyre që ofrojnë shërbime në edukim. Po kështu, siç do ta shohim më poshtë, një traditë e mirë mësimdhënieje ekziston në historinë e arsimit shqiptar. Por ajo çfarë ka munguar është vetëdija në nivele të politikë-bërjes së arsimit. Me këtë i referohemi faktit që arsimimi mediatik, apo media literacy është një fushë studimi dhe mësimdhënieje e domosdoshme e cila më tepër sesa të fokusohet tek media, ka në thelbin e vet marrëdhënien midis disa kompetencave të caktuara dhe të domosdoshme mediatike të popullatës së gjerë nga njëra anë dhe formimit apo edukimit qytetar nga ana tjetër. Pothuajse të gjithë formulimet edhe të studimeve edhe rekomandimet zyrtare të komisionit evropian dhe të UNESCO-s e formulojnë arsimimin mediatik si një nga kompetencat bazë për të pasur qytetare të denjë dhe të pavarur në vendimmarrjen për çështjet publike. Dhe këtu është momenti teorik ku duhet të ndalemi

situata aktuale në shqipëri

nga teksti mediatik në arsimimin mediatik

Ekziston pra një traditë edhe në Shqipëri. Nëse me media do të kuptojmë mesazhin që marrim nga filmi, kinemaja apo muzika, kurrikula jonë shkollore, por edhe praktika e mësimdhënies është goxha e pasur. Dhe në këtë pikë ne kemi qenë në një linjë me një qasje të shumë vendeve të Evropës perëndimore në momente të caktuara historike. Diskutimi apo të fokusuarit tek aspektet estetike apo të cilësisë së shprehjes së pjesëve të caktuara të filmave, muzikës apo kulturës pop, nuk janë aspak të panjohura për mësimdhënësit tanë.

Po kështu, nëse me kompetencë mediatike do të kuptojmë aftësinë e përdorimit të medias, pra aspektin e kompetencës teknologjike, edhe në këtë drejtim si kurrikula ashtu edhe tekstet, por në shumë raste edhe praktika mësimore është munduar të ecë në një hap me zhvillimet në botën perëndimore.

Në draftin e “ korniza kurrikulare e arsimit parauniversitar” (2012) kemi në hap të madh përpara në këtë drejtim, por që gjykojmë që nuk është as e mjaftueshme, dhe as në filozofinë e mësimdhënies së medias në funksion të përgatitjes së qytetarëve. Kështu në paragrafin “sistemi arsimor parauniversitar. synimet dhe rezultatet e pritshme” lexojmë midis të tjerash se “… Në përfundim të arsimit të mesëm lartë, nxënësi…Lexon, shkruan, dëgjon e komunikon tekste të llojeve të ndryshme letrare, jo letrare e mediatike, në përshtatje me qëllime dhe audienca të caktuara. “. Është me rëndësi të formulojmë se vetë ekzistenca e këtij prioriteti të shkruar në dokumentet zyrtare është vlerë më vete. Edhe shumë tekste shkollore të mëparshme janë munduar ta reflektojnë këtë kërkesë. Por këtu vërejmë një problem që është i natyrës parimore. Kjo kompetencë shihet në kuadrin e formimit të nxënësit në gjuhën amtare, që e zbatuar në praktikë mund të nënkuptojë që një kompetencë e tillë do trajtohet në lëndët e gjuhës dhe letërsisë. Nuk kemi ndonjë problem me këtë formulim, apo prioritet; dihet që edhe teksti mediatik është një nga format e të shprehurit, dhe kompetenca gjuhësore do ta përfshinte edhe një kompetencë në raport me tekstin mediatik. Por, problemi teorik që del këtu ka të bëjë me pyetjen nëse edukimi mediatik është vetëm edukim ndaj tekstit mediatik, apo duhet të zgjerohet më tej në edukimin mbi dhe kompetencën ndaj fenomenit të medias në përgjithësi, në totalitet me të gjitha kërkesat që përfshin nocioni i arsimimit mediatik në funksion të përgatitjes së qytetarëve. Kjo mendojmë se duhet të jetë objekt i një debati te zgjeruar midis specialistëve. Mbasi të arrihet një përfundim sesi do ta trajtojmë arsimimin mediatik në arsimin parauniversitar dhe mbasi të bëhemi në mënyrë masive të vetëdijshëm për nevojën e këtij arsimimi, pa tjetër që do të vijmë tek problemi i dytë i rëndësishëm: si do ta bëjmë.

rreth arsimimit mediatik

Vumë në dukje në paragrafin e mëparshëm se të fokusuarit tek teksti mediatik dhe trajtimi i tekstit mediatik si një nga format e komunikimit bashkë me kompetencat e veta, siç ndodh aktualisht në shkollën shqiptare nuk mjafton për të thënë se e kemi zgjidhur problemin e arsimimit mediatik. Kemi bërë vetëm një hap, të rëndësishëm pa diskutim, sepse e kemi prezantuar nxënësit me tekstin mediatik, dhe një gjë e tillë do të përbënte gjithmonë një risi, po të merret parasysh se struktura e arsimit formal është në vetvete një strukturë konservatore e cila bazohet në një tërësi vlerash dhe tekstesh klasike. Por teksti mediatik si formë e të shprehurit, është vetëm njëri nga tiparet e procesit të arsimimit mediatik. Me përkufizim, “Media literacy” ose “lufta kundër analfabetizmit mediatik”, një veprimtari e domosdoshme e institucioneve arsimore te cilat janë te vetëdijshëm se: na duhen edhe qytetare me te mire edhe konsumatore me te përgjegjshëm. Arsimi mediatik bazohet në një tërësi konceptesh themelore ndër të cilat po rreshtoj

  1. Çdo media është e konstruktuar, dhe çdo media konstrukton sensin tone për realitetin Imazhet mediatike nuk vijnë nga hiçi, apo te na shfaqen nga asgjëkund. Këto mesazhe hartohen nga njerëz dhe organizma te cilët duan te përçojnë ide te caktuara. Për këtë arsye, mediet nuk janë thjesht pasqyrim i realitetit. Pjesa me e madhe e asaj qe ne dimë për njerëz, vende dhe ngjarje te cilat nuk i kemi përjetuar vete na vjen nga media ne mënyrë te drejtpërdrejtë. Edhe kur jemi ne ata qe i përjetojmë personalisht gjerat,te kuptuarit e asaj qe kemi përjetuar mund te jete formësuar nga imazhet dhe historitë qe na ka paraqitur media
  2. Anëtare te ndryshëm te audiencës i interpretojnë mediet ne mënyra te ndryshme Jo te gjithë reagojnë ndaj mesazheve mediatike ne atë mënyrë qe duan prodhuesit e këtyre mesazheve. Formimi dhe historitë personale luajnë një rol te rëndësishëm ne atë sesi e lexojmë një mesazh mediatik te dhënë. Megjithatë mesazhet mediatike shpesh lexohen ne një mënyrë te ngjashme nga një numër i madh njerëzish dhe shpesh e pranojmë vizionin e prodhuesve te tyre
  3. Pjesa me e madhe e medieve krijohet nga biznese te cilat orientohen nga përftimi dhe ky fenomen ka pasoja komerciale . Ne shumicën e rasteve ne perëndim, ne Sh. B. A., Evropën perëndimore, por edhe ne Shqipëri ndodh qe një numër i vogël korporatash te mëdha te kenë ne kontroll pjesën me te madhe te medieve qe njerëzit lexojnë, shikojnë dhe dëgjojnë. Synimi kryesor i këtyre medieve është te gjeneroje përfitime për aksionaret e korporatave. Përmbajta e programeve informative dhe atyre argëtuese merr rëndësi te dyte.
  4. Mediet përmbajnë mesazhe te cilat mbartin vlera dhe qe kane implikime sociale . Te gjithë mesazhet reflektojnë këndvështrimet apo paragjykimet e prodhuesve te tyre. Edhe ato media qe janë fokusuar tek argëtimi na tregojnë histori rreth botes te cilat na sugjerojnë sesi duhet te mendojmë rreth kësaj te fundit. Filmat, për shembull, na japin imazhe femrash dhe meshkujsh ne marrëdhënie midis tyre dhe na sugjerojnë se çfarë do te thotë te jesh një mashkull i vërtete apo një femër e vërtete dhe çfarë lloje marrëdhëniesh gjinore janë te pranueshme
  5. Çdo medium ka një forme te veten unike estetike e cila ndikon ne përmbajtjen e saj. Një kronike lajmesh ne një medium kryesisht vizual siç është televizioni do ti transmetoje mesazhet ne mënyrë te ndryshme dhe do te ndikoje tek ne në mënyra te ndryshme krahasuar me paraqitjen ne një media te shkruar apo gazete. Mediet janë forma arti ne po atë mase sa ç’janë forma te komunikimit dhe mund te vlerësohen edhe për atë sesi e përdorin cilësitë e tyre unike për tu lidhur me audiencën

Këto janë vetëm një listë e nocioneve bazë të cilat duhet të udhëheqin në mësimdhënie gjatë procesit të arsimimit mediatik. Por arsimimi mediatik ka në thelbin e vet edhe rritjen dhe zhvillimin e vetëdijes së popullatës për çështjet që kanë të bëjnë me mediet. Kështu, ndërgjegjësimi është një proces i cili kalon në disa stade. Le të mos harrojmë se ekspozimi ndaj medias është i padukshëm, ose të paktën i tillë që nuk vihet re ose ne nuk jemi të vetëdijshëm: sfondi muzikor në një supermarket, shënimet reklamuese në stilolapsa apo çakmakë apo paraqitja grafike në e një menyje restoranti. Shumica e mesazheve mediatike janë aq të shkrira dhe të bëra njësh me mjedisin në të cilin jetojmë sa na i marrim të mirëqena. Një nga treguesit shumë të rëndësishëm për arsimimin mediatik është vetëdija për praninë e mesazheve mediatike.

Le të sjellim ndërmend një tjetër citat të një dietari të njohur:

Gazetat sot në botë janë një tregëti: shesin kartë të shtypur, si bakalli që shet djathë të kripur. Po në fillesë, dhe më tepër akoma në shekullin që shkoi, në nisje të lindjes të kombeve, gazetat kanë qenë vegla ideje, organe për të inspiruar patriotizmin, për të mbrojtur të drejtat e popullit, për të luftuar armikun. Meqenëse edhe Shqipëria është në fillim të jetës politike, meqenëse nuk kemi shtyp të përditshëm, as posta të shpejta në vendin tonë, duhet që edhe fletët tona të jenë lajmëtarët e interesave të kombit dhe të vendit tonë. Në qoftë kështu, në qoftë se çdo botonjës ndjen madhërinë e detyrës, mendohem sa prej fletëve shqip që shtypen sot do të guxojnë të vazhdojnë botimin e tyre?

Mithat Frashëri (1926)

Pa dyshim që ideja e Mithat Frashërit, përtej të qënit një kritikë për gazetat dhe gazetarët, është edhe një paralajmërim, sipas të cilit, me një cilësi të bjerrun të shtypit, nevoja për arsimimin mediatik është shumëfish më emergjente.

Kështu, ndër këto elemente të vetëdijshmërisë përmendim:

  • Formën e mesazhit, dhe me këtë kuptojmë aftësinë për të bërë dallimin midis një mesazhi të komunikuar nga dy persona dhe një mesazhi të masmedias
  • dallimi midis mesazhit dhe mesanxherit,
  • Vetëdija për motivin që qëndron prapa një mesazhi të dërguar, cili është burimi i mesazhit dhe cili është qëllimi i tij. Këtu, midis të tjerash i referohemi aftësisë për të menduar në mënyrë kritike përtej vetë mesazhit.
  • kufizimet e një mediumi të caktuar, p.sh. nëse kritikohet një film sepse nuk është besnik ndaj subjektit të librit nga e ka pikënisjen, duhet të merren parasysh specifikat e filmit si medium
  • Traditat, të kuptosh sesi funksionon një media e caktuar, është e domosdoshme të kuptohet se një media është pjesë e një tradite të caktuar, dhe njohja e kësaj tradite ndihmon në qëndrimin që individi krijon ndaj mesazhit mediatik.
  • mitet mediatike. Në tërë historinë e saj, në etapa të caktuara, media është fajësuar për shumë të këqija në shoqëri. Viktima e radhës duket së është facebook-u, i cili po e çorodit rininë. Natyrisht që shumë të këqija në shoqëri kanë një lidhje me median, por një njeri i arsimuar mediatikisht është në gjendje ti japë Cezarit atë që është e Cezarit.

Një element tjetër me shumë rëndësi është të kuptuarit se arsimimi mediatik kalon në disa stade disa prej të cilëve po i rreshtojmë më poshtë:

  • Njohja e bazave konkrete: sot edhe fëmijët e kopshtit janë në kontakt me median, shumë prej tyre e përdorin telekomandën e televizorit apo tastierën e kompjuterit me një shkathtësi të jashtëzakonshme. Por si edhe në çdo drejtim tjetër, edhe në arsimimin mediatik, të njohësh bazat konkrete fillon me njohuritë faktike dhe me fjalorin e fushës;
  • Dinamika e medias: Ka pra, arsimimi mediatik disa nivele, njëri prej të cilëve është të kuptuarit e dinamikës që i jep formë përmbajtjes mediatike. Faktori ekonomik, për shembull, shpjegon mjaft për sjelljen e medias. Mediet janë biznese, të cilët sigurojnë të ardhura duke ulur kostot dhe duke shtuar audiencat. Gjithashtu, pjesë e kësaj dinamike janë personalitetet e medias, vetë profesionistët e komunikimit të cilët marrin shumë prej vendimeve; pronarët e medias, kanë edhe ata një rrol të një rëndësie që nuk duhet shpërfillur; legjislacioni dhe aktet regulatore zyrtare kanë ndikimin e tyre në këtë dinamikë
  • Efektet e medias: Kaq të rrethuar sa jemi nga mesazhet mediatike, pa fjalë që tek secili prej nesh ka gjurmë të këtij ekspozimi, gjurmë që shihen tek opinionet që kemi dhe vendimet që marrim. E vërteta është që pavarësisht studimeve të shumta, ne dimë fare pak rreth efekteve që mesazhet mediatike kanë tek ne. Pavarësisht se studimi i efekteve të medias është një fushë me shumë diskutime, çdo individ do të rrezikonte shumë nëse do ti injoronte. ne fund të fundit, sa më të arsimuar të jemi mediatikisht, aq më shumë të aftë do të jemi të dimë të ndajmë problemet e vërteta nga ato që na i ofron media si probleme. Efektet e medias, kur mendohen të dëmshme, është parë se është e pamundur të parandalohen me ligje apo akte zyrtare. Dhe pikërisht për këtë arsye e vetmja alternativë për individin që të bëjë zgjedhje mediatikë të informuara është të jetë i arsimuar mediatikisht.
  • Njohja e çështjeve mediatike të debatit të përditshëm: shpeshherë vetë media i bën jehonë kritikave që i bëhen asaj në aspekte të moralit apo të cilësisë së përmbajtjes. Një nga nivelet e arsimimit mediatik ka të bëjë me të kuptuarit e këtij debati publik dhe mbajtjen e një qëndrimi kritik ndaj tij. Masmedia, tek e fundit ka funksione të rëndësishme në shoqëri, dhe problemet që ekzistojnë nuk duhet ta trembin i individin apo aq më keq ta largojnë prej saj: përkundrazi, një përpjekje për tu arsimuar mediatikisht do të aftësonte edhe individin, por do të detyronte edhe median të përmirësohej. Natyrisht, pritet që individi i zakonshëm të jetë ekspert i medias, kjo do të ishte e pamundur, dhe ndoshta e panevojshme. Por sa më i arsimuar të jetë individi mediatikisht, aq më i përgjegjshëm është si qytetar.

problemet aktuale

i përmendëm këto elemente të arsimimit mediatik për të vënë në dukje se në gjendjen e sotme, korniza kurrikulare e propozuar i qaset vetëm njërit nga elementët e arsimimit mediatik dhe që është teksti mediatik si një formë e gjuhës. Edhe në këtë formë, në traditë tonë shkollore, teksti mediatik ka zënë një vend mjaft margjinal dhe shpeshherë kontradiktor, dhe kjo është mjaft e kuptueshme dhe e paqortueshme së pari sepse natyra e shkollës dhe e shkollimit është në parim konservatore, tek e fundit një mësuesi letërsi nuk do ja bënte zemra të merrej me tekstin e një gazete të përditshme kur në vetvete është i bindur se duhet të japë mësim tekstet e autorëve klasikë të letërsisë. Themi kontradiktore, sepse në programin e gjuhës shqipe të arsimit të mesëm, teksti mediatik është përfshirë në linjën “të vëzhguarit”, gjë që është një nocion i paqartë shkencërisht, materiali didaktik i rekomanduar është i pavlefshëm për këtë funksion, për të mos përmendur që struktura klasike e orës së mësimit dhe mundësitë praktike të shumë shkollave të mesme në rrethet e Shqipërisë nuk lejojnë të realizohet me efektivitet edhe kjo linjë që është emërtuar të vëzhguarit. së dyti, në dokumentet zyrtare siç është kurrikula, edhe pse ekziston vetëdija për tekstin mediatik, nuk ekziston një vetëdije e tillë për arsimin mediatik. Siç u mundova ta përshkruaj më lart, arsimimi mediatik është shumë më i gjerë.

e ardhmja

Pritet së pari që në dokumentet zyrtare që udhëheqin procesin mësimor të ketë një vetëdije të qartë, dhe plotë dhe shkencore jo vetëm për nevojën e arsimimit mediatik në të gjitha nivelet e shkollimit, por sidomos përmasën që duhet të zërë në tërë kornizën kurrikulare. Vetëdija do të arrihet nëse pjesë e debatit profesional do të bëhen jo vetëm edukatorët, por edhe specialistët e medias. Stadi i dytë, që vjen mbas këtij, do të karakterizohet nga disa sfida, mbasi politikëbërësit do të duhet të shtrojnë për diskutim nëse arsimimi mediatik do të jetë pjesë e programeve të lëndëve aktuale apo do të duhet të jetë një lëndë më vete. Se treti do të jetë problemi i stafit, jo vetëm kualifikimi i tij, por sidomos dhënia përgjigje e pyetjes nëse duhet të jetë mësuesi aktual i gjuhës dhe letërsisë që do të merret më një gjë të tillë, apo do të duhet që specialistët e medias ti trajnojmë edhe në mësuesi; së katërti, për vetë specifikën e saj, lënda e arsimimit mediatik (nëse do të quhet e tillë) do të përballet me problemin e vlerësimit të njohurive, të shprehive dhe të kompetencave të nxënësit të cilat duhet të jenë të matshme, sepse është provuar se thjesht publikimi i një gazete të nxënësve nuk mjafton për të thënë se kemi kryer ndonjë pjesë të procesit të arsimimit mediatik.

Në përfundim do të nënvizoja se nëse ndonjëri prej nesh e ndjen se një pjesë e medias po performon keq ndaj publikut dhe fëmijëve tanë, arma më e fortë edhe e efektshme që kemi është të përgatisim këta fëmijë të përdorin me efektivitet pushtetin e telekomandës dhe ti detyrojnë disa media të përmirësohen.

e për ta mbyllur, le tërikujtojmë edhe njëherë citatin nga Arshi Pipa:

“Pengesat artificjale që sot i vehen kulturës ndër disa vende nuk do të vazhdojnë për jetë të jetës. Do të kalojë edhe kjo kohë e soçme, e travajueme, e mundshtueme, me pasjone e shpërthime ideologjike që grisin trupin e njerëzimit. Ajo “humanitas”, shenj i kulturës klasike dhe ideal etik i ma të mirëve dhe ma të denjëve ndër njerëz, do të mund të arrihet kryekëput kur njerëzimi të konsolidohet, me të gjitha divergjencat e pajtueme, në njisin e vet të natyrshme gjeografike. Tue pritë durueshëm kët ditë, ose së paku tue e paranderrue, njeriu i lavruem të japë çka mundet në kët vështrim”[iv]

Faleminderit

[i] citati është marrë nga përshrkimi që Pipa bën për Kutelin në ”shënime kritike për librin “mall e brengë”, Pipa, Arshi: “Kritika”, botimet “princi”,Tiranë 2006

 

[ii] Pipa, Arshi: “Lyrika Latine”, Phoenix,Tiranë 2000

 

[iii] Po aty, fq. 12

 

[iv] Po aty, fq. 12