I biri i shkrimtarit tregon vuajtjet gjatë diktaturës
Pandeli Pasko
“… me ndjesë për vonesën në përgjigje, e cila nuk mund të jetë e shkurtër. Po, Dom Gjergj, është e vërtetë: në kampin e Maliqit Kuteli pati shpëtuar për fije nga varrimi për së gjalli. Mbas 9 muajsh hetuesi në atë shtëpinë e gjetheve në mes të Tiranës (pak njerëz mund të përfytyrojnë ç’ndodhte në atë shtëpi në vitet 1946-’49, ), Kuteli u dërgua në ferrin e Maliqit, aty ku jeta nuk kishte më vlerë, aty ku njerëzit mbyteshin në batak si miza. Kur bie fjala për atë periudhë mjafton të thuhet ‘filani ka bërë burg’ për të pasur parasysh vuajtjet e këtij personi. Kurse për pakicën në pushtet ata ishin thjesht ‘armiq të pushtetit popullor’, pra njerëz të këqij, që nuk e donin popullin dhe që e kishin merituar paq dënimin.
Hija e burgut e ndoqi pas Kutelin deri në fund edhe pse jo në fusha internimi. I përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve, atij iu desh t’u bënte kërkesa atyre që patën dërguar të vdesë në Maliq për t’u ripranuar si anëtar i ri në mënyrë që të kishte mundësi t’u kushtohej më mirë projekteve të tij letrare.
Do të doja edhe unë të gjeja një ‘pse’ të burgimit të Kutelit, po mjerisht dosja e tij nuk gjendet (ende apo më!). Varianti i servirur nga Kadare, shpjegimet e dhëna nga Ismail Kadare në ‘Ardhja e Migjenit’ (dhe të përsëritura e ripërsëritura me besnikëri nga R. Elsie) se gjoja u arrestua menjëherë mbas një vizite në Jugosllavi ku pati takuar Ivo Andriçin dhe pat ngritur çështjen e Kosovës – nuk qëndrojnë, mbasi babai u arrestua në prill 1947 e vizita kishte qenë në korrik 1946. E dhëna më e besueshme për këtë burgim, i cili ia ktheu jetën në vuajtje (e ia shkurtoi jo pak vite) është ajo e shkruar në testamentin e tij se ‘Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hëpërhë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hije’. Pra Kuteli tregon me gisht letrarë të caktuar të Partisë, të zotët të përfitojnë nga situata që u vendos në Shqipëri për të eliminuar konkurrentët e tyre.
Për sa i përket shkrimit të znj. Peçi, i cili është marrë si bazë madje edhe nga shkrimtarë, vërej se vëmendja ndaj personalitetit të Kutelit zhvendoset vetëm në një ngjarje të përshkruar me shumë sforcime gazetareske, të cilat na revoltojnë, mbasi e shtrembërojnë keqas e pa respekt të vërtetën dhe krijojnë një portret të rremë e të shtrembër për Kutelin. Babai nuk na pati folur asnjëherë për burgun e tij e as për ngjarjen e hidhur të Maliqit, si thuhet në shkrim nga një burim i tretë nën pyetjet e gazetares për t’i dhënë ngjyrimet e pëlqyera prej saj. E dinim që babai pat qenë në burg, por ngjarjen e Maliqit e kemi marrë vesh shumë kohë mbas vdekjes së babait nga z. Alush Saraçi, i cili ia tregoi motrës sime, Atalantës, në vitet ’98-’99. Dhe z. Saraçi e pat dëgjuar nga një i pranishëm, i cili tashmë ka ndërruar jetë.
Në bazë të këtij rrëfimi, ne e gjetëm ku banonte z. Hamza Tusha dhe bashkë me motrën Atalanta i shkuam në shtëpi në rrethinat e Elbasanit. Më pas, ne ftuam edhe z. Tusha edhe gazetaren znj. Peçi në përvjetorin e 95-të të lindjes së babait më 13 shtator 2002, ku ne si familje e përkujtuam me një rreth të gjerë me t’afërm e dashamirë, pjesa më e madhe e të cilëve e kishte njohur babanë. U habitëm kur pamë në gazetë pasaktësi, madje edhe në paraqitjen e rrëfimit të z. Tusha, të cilat ishin ndryshe nga ato që na patën treguar z. Saraçi dhe vetë z. Tusha. Kështu ne nuk na qe thënë fare për zhveshje, që me sa duket është fryt i fantazisë morboze të gazetares për ta bërë shkrimin ‘më tërheqës’ sipas një logjike që funksionon në periudhë diktaturash. Nga ana tjetër z. Tusha asaj kohe nuk kishte dëgjuar e nuk e njihte Kutelin. Pati qenë intuita e një të burgosuri tjetër, z. T. Çiftja, që e njihte mirë personalitetin e Kutelit, dhe në vend të ndërhynte vetë, pati menduar se fjala e një të burgosuri nga shtresat e ulëta kishte shanse të dëgjohej më mirë sesa ajo e një të burgosuri nga shtresat e pasura, që mund edhe të ndikonte për keq. I pat thënë Hamzait “Ai që po fusin në dhe është njeri shumë i mirë…” (pra pa i treguar as profesionin dhe as dijen, që mund të përkeqësonin situatën). Dhe pati të drejtë: z. Tusha u bë trim e ndërhyri në kohë te komandanti i kampit. Përshkrimet e tjera groteske janë të gazetares apo nën ndikimin e gazetares. Dialogët e trilluar “të dalë ai shkrimtari borgjez” apo “thirreni këtu Mitrush Kutelin” janë të sajuar dhe hidhen poshtë edhe nga kujtimet e Petraq Kolevicës, i cili citon Kutelin: “se atje në kamp askush nga policët nuk e dinte kush ishte ai në të vërtetë dhe merrnin për njeri të rëndomtë’ (P. Kolevica – ‘Me Mitrush Kutelin’) Po ashtu është e papranueshme që në faqen web të z. Radi (www.radiandradi.com) vendoset një foto me shënimin Dhimitër Pasko gjatë burgut… e cila nuk i përket Kutelit. Për t’u habitur me ‘pakujdesinë’, mbasi mjafton të bëhet krahasim me fotot e tjera të njohura të Kutelit e madje edhe me atë që shoqëron në vijim artikullin për të dalluar se kemi të bëjmë me njerëz të ndryshëm.
Për fat të keq, kjo foto gjendet edhe në Wikipedia. Nuk di kush e ka vendosur. Kam dërguar disa mesazhe në adresë të Wikipedias dhe të faqes web të z. Radi, po çuditërisht kjo foto vazhdon të mbetet e vendosur në rrjet. Dëshiroj të njoftoj se ne si familje nuk kemi asnjë foto burgu të babait. Mizori të ngjashme me atë të Kutelit e madje edhe më tragjike, i ka përshkruar deri në dhimbje Atë Zef Pllumbi. Për fat të keq, kemi lista të gjata të të persekutuarve, të të munduarve dhe të ekzekutuarve, por jo të persekutorëve, xhelatëve direktë dhe as të porositësve të krimeve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Nën flamurin e ‘fitimtarëve’ të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri u kryen krime në përmasa tejet më të mëdha sesa në Francë, Itali e gjetkë, vende me të cilat mundohen të krahasojnë e justifikojnë edhe sot këto reprezalje mjaft autorë të njëanshëm. Krimet në Shqipëri ia arritën synimit për asgjësimin e kundërshtarëve realë dhe potencialë të regjimit duke i zgjatur jetën në dëm të shqiptarëve. Pra, z. Koka e Dom Gjergj – për të nxjerrë të vërtetën e asaj kohe të keqe nuk na duhet vetëm të gërmojmë në kujtesën e në ndërgjegjen e dëshmitarëve, por na duhet të jemi të kujdesshëm e të luftojmë deri në fund edhe me shtrembëruesit e fakteve e komentuesit me logjikë komuniste të tyre – gazetarë apo shkrimtarë të mëdhenj qofshin, mbasi një lëngatë e rëndë gjysmëshekullore nuk mund të shërohet në të njëjtën periudhë kohe me atë të lëngimit, ndërkohë që mikrobi i cili e shkaktoi jo vetëm që nuk është zhdukur, por është ende i aktivizuar”.
Për më shumë mund të lexoni artikullin e botuar nga Gazeta Shqip | 20 gusht 2015
Linku: Faleminderit pasardhesve te Mitrush Kutelit qe permendin edhe kontributin e babait tim Tasim Ciftja