Komandanti Ballist nga Tasim Çiftja (1925-1993)
Shënim: Në 4 Gusht 1945, 77 vjet më parë u ekzekutua me varje në litar Nezir Muzhaqi. Ky shkrim është një homazh i hershëm për këtë luftëtar patriot të cilin autori e ka shkruar menjëherë mbas rënies së diktaturës për të tërhequr vëmendjen e studiuesve.
Në organizatën mbi 50 vjeçare të Ballit Kombëtar, atdhetare autentike e populit shqiptar, bënin pjesë udhëheqës të pastër, të ndershëm, të flijimit për Atdheun, pa prapamendime apo plane karrieriste. Ata i zgjodhi nevoja urgjente e shpëtimit të Atdheut nga pushtuesi shtatëprillist dhe synimet shoviniste fqinje, për të cilat, përvoja luftarake për Pavarësi, nuk linte ekuivoke.
Atë, Mit’hat Frashërin, pranoi populli shqiptar në krye të punës.
Komandantët e formacjoneve luftarake, pa përjashtim vullnetare, qenë profesorë të ndritur të rinisë shkollore, të cilët, mbasi kryen studimet nëpër Evropë, braktisën karrierën, për t’i shërbyer pushkës shqiptare mbi armikun: Abaz Ermini, Hysni Lepenica, Skënder Muça e të tjerë. Vasil Andoni la gjithashtu katedrën profesoriale, devotshmëria atdhetare e vendosi në krahun e djathtë të kryetarit Mit’hat.
Nuk është vendi këtu të bëjmë përshkrime reportazhiste dukurore , e kemi fjalën për njërin nga komandantët e ndritur: Nezir Muzhaqi, ish-liceisti, që kthehej nga Franca për të luftuar për lirinë e atdheut, si mijëra të tjerë, si brezi rinor i asaj kohe të cilit shorti i takojë të vetëngarkohet me flijimin.
Inkuadrimi i komandant Nezirit me Ballin Kombëtar ka qenë:
Shkojnë në malet e pamposhtura të Sopotit të deleguarit e kryetarit Mit’hat Frashëri, për të organizuar qëndresën në malet e Elbasanit. Qenë njerëz të ndritur të kohës, i patën kushtuar atdheut gjithçka qysh në rininë e tyre. U zhvilluan bisedat në ato shkrepa shqiponjash, ku erërat e lirisë zotëronin mbi topat e armikut.
Kuvendi vuri gisht mbi djaloshin liceist, sypatremburin e kulturuar, luftëtarin plot devocjon atdhetar. Në mbarim të fjalës së tyre, asaj nate me fllade lirie për shpëtimin e kombit, n’ato thellësi shkëmbore ku banonte familja e ndritur e Muzhaqve, babai Met Muzhaqi foli:
-Merreni djalin, e shkollova për jetën e re e të pavarur të Shqipërisë, tani Shqipëria është në rrezik, po ja fal Atdheut, hallall!
Kështu u pagëzua komandant Neziri. Një ish-liceist u pranua nga malësorët vullnetarë të vihet komandant. U rradhit ndër komandantët e tjerë ballistë që patën lënë katedrat profesorjale, për t’ju gjendur pranë pushkës shqiptare.
Jo rastësisht më ndodhi të interesohem për këtë figurë kombëtare, për të cilin dija vetëm aq sa mund të të mësojë amaneti i dënuarit me vdekje në litar, që në një pikë rastësore tha:
-Duajeni Shqipërinë, ndriçojeni, se ajo nuk ka vdekur me ne, ajo do të rrojë gjithmonë.
Të tjerat që fola mësipër, i kam marrë po n’ato kohra nga të tjerë, asgjë nga komandant Neziri.
Do të dalin dokumenta, kujtime okulare, për të regjistruar qëndrimin shqiptar deri në fund, të qetë po të papërkulur në botëkuptimin e tij atdhetar ballist, deri në fund tel me besimin tek rinia e ardhme, ndonëse vetë komandant Neziri ishte vetëm 27 vjeç përpara litarit.
Linku i referimit https://gazetadielli.com/memuaristike-nga-arkivi-personal-i-te-ndjerit-tasim-ciftja-intelektual-i-burgosur-dhe-i-perndjekur-nga-regjimi-dikatorial/