Fjala kryesore në hapjen e eventit në promovimin e librave të shkrimtarit Pëllumb Kulla në Panairin e Librit, Tiranë, 2022
Përshëndetje të gjithëve,
unë quhem Hektor Hektor Çiftja, jam pedagog në departamentin e Letërsisë në Universitetin në Elbasan, por këtu jam krejtësisht dhe vetëm si lexues i thekur i veprave të autorit Pëllumb Kulla.
Kur u lajmërohesh se do të flasësh në evente të tilla, mendimi i parë që të shkon në këto raste është të përshkruash librin që sapo kemi marrë në dorë, të flasësh sesi kemi të bëjmë më një zhanër të romanit modern; të komentosh sesa mund të gjejmë biografi të autorit në këtë vepër, të krahasosh sesi nga botimi në botim, “Rrefenjat nga Amerika”, nuk është më i njëjti libër, por çdo ribotim, i quajtur modesisht ri-botim, është një vepër më vete të cilën e shkruan një një tjetër Pëllumb Kullë për një tjetër kohë, për një tjetër audiencë; të përmendësh gjithashtu sesi mjeshtëria shumë e madhe e autorit edhe ato që dikur i qunim skeçe, apo anekdota i kthen në një letërsi të mirëfilltë dhe të mrekullueshme; të thuash se kjo vepër dhe vepra të tjera të tij janë tashmë jo thjesht një prozë e këndshme, por një letërsi e mirëfilltë shqiptare dhe ajo çka i i bën letërsi janë dy elementë shumë të qartë, të realizuar mejshtërisht dhe të njohur nga të të gjithë: koncepti i literaritetit dhe konceptit i Humanita-s, siç do të shprehej edhe një tjetër autor i madh shqiptaro-amerikan. Në fund falenderohen autori, familja që e mbështeti, donatorët, botuesi dhe nganjëherë edhe personazhet reale që mundet t’i kenë dhënë humusin kulturor për ta kthyer realitetin në poezi.
Në vend të këtyre, pa ju marrë kohë vendosa të citoj “ një përralllë shekullore rrëfehet ende”, rrëfenja e njëzetedytë e librit që kemi në kemi në dorë.
“Është një vend, o bir, një vend i bukur, matanë këtyre maleve, ku ajri është aq i pastër sa e thith e nuk ngopesh dot…Pyjet e lartë, zogjtë e lumtur s’e pushojnë ligjërimin kurrë.. Po njerëzit? Po njerëzit more Erzen? Puntorë më të palodhur s’gjen në asnjë fis të botës, është një vend…Jo, jo si këtu!..Uhu!… Atje s’anë burgje, se s’kanë nevojë…Atë vend tashi e ka zënë balozi i zi me hijen e tij, dhe balozi nuk lë të futet më njeri. Por do gjenden trima të vrasin balozë. E vendi do hapet e unë do të të marr në krahë e të të shpije. E ti do ta shohësh që nuk të kam gënjyer”
sesi vazhdon kjo rrëfenjë e dinë ose e kujtojnë shumica që janë këtu.
“Hë babë, – pat bërë edhe një herë pyetjen Frashëri pasi kishin dalë përtej BUnës, matanë kufirit, -a po arrijmë?”
“Jo, o bir, – i qe përgjigjur Erzeni.- Babai na thosh këtu, përtej malit, por ay vendi qënka larg, shumë larg!”
Dhe duke mos qenë vetë ndonjë recitues apo aktor, nuk pres të çuditeni me leximin tim.
Por për ne që merremi me lexime të letërsisë, dhe këtë e ka pohuar çdo studiues, letërsia e madhe është një univers, një realitet paralel, me shumë funksione, por me funksionin kryesor të na ndihmojë të përballojmë e kapërcejmë çdo dhimbje që ka shpirti e çdo vështirësi që ka trupi e çdo hallkatje që ka mendja njerëzore. Dhe ky univers, universi letrar i Pëllumb Kullës, për fatin e mirë nuk është larg-si tek “një përrallë shekullore rrëfehet ende”- por si univers letrar që është, ndodhet aty ku na e tregojnë të diturit, në duart tona, në një libër xhepi, në memorien tonë, në frazat e bisedave të llojit “e mban mend çka thënë Pëllumb Kulla tek Rrëfenjat?”.
Me vepra të tilla, krenarisht mund t’i themi gjeneratës që re:
Është një univers, o bir, një univers i bukur, matanë këtij realiteti sheh, prek, dëgjon dhe nuhat, dhe aty ajri i muzikës së fjalës dhe shpirtit është është aq i pastër sa e thith e nuk ngopesh dot. Është, o bir, një vend ku njerëzit, edhe kur mërziten, edhe kur dëshpërohen, si ata stoikët e grekërve të lashtë, sa herë kanë dhëmbje, aq herë e vën buzën në ujërat, ashtu të kthjellët si kristal të humorit të Pëllumb Kullës. Është një vend ku asnjë nga “rrëfenjat” nuk është me porta të mbyllura. Atë vend nuk ka bajloz të zi që ta zërë me hijen e tij, se kurajozët e humorit dhe letërsisë së madhe e vrasin bajlozë. E ti, biri im, nuk ke nevojë të të shpjerë njeri atje, as unë e as ndonjë kritik letrar, mjafton të hysh një herë tek ky univers i Pëllumb Kullës, e atëherë, si nëpër filma me fantazi, universi i Pëllumb Kullës hyn në mendjen e shpirtin tënd. Eshtë shumë afër ky univers, o bir, shumë afër, mjafton vetëm t’i qasesh pak.
Ju faleminderit