Në vend të hyrjes
Punimi “Turizmi i trashëgimisë ish-komuniste, çështje të identitetit kulturor dhe kombëtar dhe nevoja e promovimit të spikatur të nocioneve universale të përkujtimit të 23 Gushtit si “Dita e Ndërgjegjes Europiane dhe viktimave të totalitarizmit”-rasti kampit në Tepelenë” është pjesë e një punimi kërkimor në vazhdim.
Në punimin në tërësi, trajtohet rasti i Shqipërisë duke marrë shembull studimi kampin e Tepelenës si një rast që ilustron disa teza shkencore të një literature kërkimore perëndimore që fillon në vitet 90-të në frymën e një kërkimi shkencor konceptual. Përveç një bibliogriafie shteruese teorike, studimi i ardhshëm pritet të marrë në shqyrtim dhe të trajtojë të dhëna gjithëpërfshirëse të mbledhura në mënyrë empirike në muzetë apo site-t muzeale të trashëgimisë komuniste në Shqipëri.
Synimi i parë i punimit është ta bëjë rastin e Shqipërinë pjesë të literaturës bashkëkohore studimore. Synimi i dytë dhe më kryesor i punimit është të hedhë për diskutim tezën nëse site-et kulturore-turistike të trashëgimisë së ish-komuninizmit dhe fashizmit duhet të ndërtohen në një formë të tillë ku të spikasin më qartë dhe të dominojnë mesazhet universale që dalin deklarata e Pragës 2008, nga rezolutat e Parlamentit Europian (2009), Deklarata e Vilniusit (OSBE) si “krimet kundër njerëzimit”, “krimet e luftës”, “Genocidi”, “Dhunimi i të drejtave dhe lirive të njeriut”, “dënimi i glorifikimit të regjimeve totalitare” e shumë mesazhe të tjera si këto, krahasuar me situatën e sotme ku kemi një paraqitje “të ngrirë” për një kënaqur kureshtjen e një kategori turistësh kuriozë të interesuar për vendet e ish-lindjes komuniste dhe për një “arkeologji nazi-fashiste dhe ish-komuniste”.
Në kontekstin e “turizmit në vendet e trashëgimisë nazifashiste dhe ish-komuniste” dhe sidomos në kontekstin e debatit mbi identitetin që ka sjellë promovimi i këtyre site-ve të trashëgimisë, është e mundshme dhe e domosdoshme që duke nënvizuar mesazhet universale të 23 Gushtit në këto site, në mënyrë të drejtpërddrejtë dhe të hapur, jo vetëm të marrë formë mbi-partizane debati ideologjik dhe identitar, por sidomos të trasmetohet mezazhi universal i parapregatitjes për parandalimin e fenomeneve të tilla. Në fund të fundit, ky është thelbi i “ndërgjegjes europiane” dhe ky duhet të jetë synimi i vendeve si Shqipëria kur promovojnë sajte të kësaj trashëgimie të dënuar nga historia.
Atraksioni turistik i komunizmit
Nëse shumë dekada më parë perëndimorët udhëtonin drejt shteteve komuniste duke kërkuar të shohin si dëshmitarë okularë krijim i një regjimi të ri premtues, tashmë ekziston një treg në rritje i industrisë së turizmit që përbëhet nga perëndimorët që dëshirojnë të shohin gërmadhat-artefakte të të njëjtës botë, por tashmë të dështuar.
Deri në mesin e shekullit 20-të, një e treta e planetit i bindej regullave të drapër e çekanit si simbol i miteve të kohës të aleancës së fshatarësisë me të ashtuquajturën klasë punëtore, dhe që në variantin shqiptar ishte kazma dhe pushka që bënte dhe bën edhe sot konfuz se çfarë simbolizonte, sot Shqipëria ka braktisur zyrtarisht të qenët e udhëhequr nga një ideologji e dështuar dhe me pasoja kriminale, dhe ideologjia e vetme udhëheqëse duket se është të afrohet sa më shumë në praktikë me vlerat e humanizmit europian, me një klasë politike që legjitimohet nga ideja e rikthimit të Shqipërisë drejt perëndimit si vlerë dhe si orientim i mbështetur pa disktim nga shumica e shqiptarëve dhe me një flamur kombëtar pa asnjë nga shenjat e ish-lindjes, por që reflejton një ideologji pozitiviste komëtariste, dhe gjithashtu, në heraldikën dhe veksilologjinë (eng: vexilology) që është shkenca e historisë, simbolikës dhe përdorimit të flamujve, i bashkohet tërësisë së simboleve kombëtrae që reflektojnë pikërisht vlerat europiane.
Për më tepër, vdekja e epokës komuniste dhe staliniste, në mënyrë të papritur ka bërë atraktive mundësi të panjohura më parë në tendencat e industrisë së turizmit: nga turisti që dëshiron të shikojë transformimin e vendeve si Kuba në vende të resorteve turistike,deri tek turisti perëndimor i cili ka thjesht një kuriozitet për një tjetër qytetërim (në kuptimin që historianët i japin kësaj fjalë, qytetërim pra tashmë të zhdukur; degradimin i komunizmit dhe stalinizmit shqiptar si një forcë ideologjike e ka zhvendosur atë nga sfera e plotikës dhe e ka ripozicionuar në sferën e turizmit. Stalinizmi shqiptar, i cili nuk përbën më një sfidë apo terror, ai mund të përbëjë tani një komponent kyç të tregut që u përmend më lart, një treg në të cilin gërmadhat dhe reliket mund të vëzhgohen nga njerëz të çliruar nga ndonjë ndikim politik, siç ndodh me atraksionin që ngjallin qytetërimet e tjera të shkatërruara
Në përfundim, edhe pse çdo lloj i tuzimit në site-et ish-komuniste ka një dinamikë unike, gjithçka lidhet me një përpjekje që sejcili të përjetojë gërmadhat e këtij qytetërimi të dështuar në mënyrën e tij. Kjo shoqëri e vendeve osh-komuniste e cila me një shpejtësi marramedëse mposhti një të tretën e botës, ndloi së funksionuari në mënyrë pothuaje të menjëhershme dhe u çmontua pothuajse tërësisht brenda disa dekadash. Komunizmi ishte unik në shekullin e 20-të, apo të paktën në epokën e modernitetit në kuptimin që përfaqsonte një përpjekje për të përmbysur të kaluarën mijëravjeçare në mënyrë të vetëdijshme të gjithëpërfshirëse dhe të zëvendësonte gjithçka me një një qytetërim të ri
Brenda një gjenerate të vetme, e gjithë kjo sipërmarrje u diskretitua dhe vetë udhëheqesit e saj hoqën dorë nga ajo. Është për këtë arsye që kjo sipërmarrje ideologjike dhe politike mund të klasifikohet në kuptimin arkeologjik si qytetërim, edhe pse nuk zgjati më shumë sesa një një jetë njerëzorë. Përpjekjet e komunismit për të zhdukur tërësisht të kaluarën shekullore, për ta betonizuar atë dhe mbi atë beton të krijonin një shoqëri të re është një nga arsyet se pse kjo politikë dikur agresive jo vetëm dështoi, por edhe u fishk, u bë thjesht një kapitull i historisë botërore, ashtu si edhe inkuizicioni apo djegja e Romës nga perandori i saj dhe tashmë po zëvendësohet nga një kuriozitet i mirëfilltë. Edhe kur ky kuriozitet mund të jetë ndaj ndërtesave impozante prej betoni të ish-bllokut komunist, apo ndjesitë e ngrira në kohë në Havana të Kubës, kurioziteti ekplorues deri në lodhje që vjen duke parë frymën e fundit të një sistemi që jetoi më gjatë sesa arsyeja njerëzore, është një kuriozitet që e kemi parë në të gjitha kohërat: ashtu si udhëtarët e shekullit të 19-të mahniteshin nga statujat e ngritura nga romakët, turistët e sotëm kënaqen duke pyetur veten me habi, edhe pse me aspak nderim, kur janë pranë gërmadhave të lëna nga përpjekjet e komunizmit për të krijuar një botë të re
Duke i mëshuar deri tani aspektit turistik të site-ve të trashëgimisë totalitare, duket se po japim përshtypjen e murgut të zhytur në libra e të shkëputur nga realitetit jo dhe aq i largët dhe që i duket ky fenomen historik si një rrëzim statujash ideologjike dhe mahnitje nga gërmadhat. E vërteta është që, midis shumë funksioneve, turizmi është një platformë ku produktet kulturore të thonë shumë më tepër sesa një ideologji e falimentuar. Këto produkte kulturore të këtij civilizimi, nuk mundet të mos të të orientojnë drejt makabritetit, dhunimit në mënyrë masive të dinjitetit njerëzor, krimeve masive që nuk ishin vetëm në emër të ideologjisë, por edhe sikur të ishin vetëm për hir të saj, e theksoj, edhe sikur të ishin vetëm për hir të saj, janë krime kundër njerëzimit ndaj të cilave humaniteti ka një qëndrim mendor dhe shpirtëror dënues dhe të ashpër, ato nuk mundet të mos ta bëjnë edhe turistin më të pa interesuar të rikujtojë se çfarë është dhuna njerëzore e ushtruar nga aparatet shtetërore, e toleruar nga ata. Sado e veshur me zbukurime ideologjike, fetare, apo të çdo lloji, genocidi, tortura, vrasja, edhe kur është masive ajo duhet parandaluar. Nuk është e rastit, që edhe pse projekte si ai i Muzeut të Kampit të Tepelenës janë ndërtuar në kuadër të programeve madhore për turizmin, ato mbajnë emra shumë domethënës si “rrugët e kujtesës”,[i] dhe kujtesa nuk specifikohet, sepse genocidi, krimet kundër njerëzimit, institucionit i toruturës, vrasjet masive dhe dënimet me vdekje dhe në të gjitha rastet pa gjyq në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, kanë manifestimin më makabër në rastin e regjimeve fashiste apo të lindjes ish-komuniste, por ato duhen kujtuar për të qenë të vetëdijshëm për të parandaluar që në themel ato krime, sidomos ato të specifikuara në rezulutën europiane të 23 Gushtit 2009. Nuk është e rastit që shumë sajte online (eng: Online sites”) që i janë përkushtuar turizmit, dhe sidomos atij në Shqipëri, ato quhen “Site-t e turizmit të erësirës” (Dark Tourism Sites). Në njërin prej tyre madje gjejmë edhe paralajmërimin për turistët:
“Many communist sites in Albania are dark tourism sites where cruel and horrifying things have happened. Things you will see and learn about will often be disturbing and unsettling. Prepare both mentally and intellectually before you visit them.
Think twice about why you are visiting the place. Is it just curiosity, or do you actually want to understand what happened there? “[ii]
që në gjuhën tonë do të thotë:
“Shumë site komuniste në shqipëri janë “dark tourism sites” në të cilat kanë ndodhur gjëra mizore dhe tmerruese. Gjërat që do të shikoni dhe për të cilat do të mësoni do të jenë shpesh shqetësuese dhe trazuese. Pregatituni edhe mendërisht edhe intelektualisht përpara sesa t’i vizitoni ato”
Muzeologjia dhe arkivistika
Ekziton një literaturë e tërë studimore që deshmon se që në fillimin e këtyre projekteve, fillimisht në Gjermani në raport me Nazizmin e më pas më site-t e trashëgimisë komuniste është zhvilluar një debat publik, kryesishit në media për dy aspekte themelore: njëri nga debatet është përqëndruar në frikën e imagjinuar se duke i bërë këto vende destinacione turistike, në tregun e industrisë së turizmit mund të krijohet përshtypja e gabuar e identifikikimit të këtyre krimeve me natyrën e një kombi të tërë, qe më së shumti është formuluar si debati “turizmi dhe identiteti i nje vendi”. Debati i dytë është përqëndruar në frikën mediatike se mos nga ana e turistëve, artefaktet e site-ve ish-komuniste dhe ish-naziste e e paraqesin të vërtetën në kuptimin që i jep shkenca e historisë, apo e nxjerrin nga konteksti historik për ta bërë të marketueshme për tregun e industrisë së turizmit duke deformuar kështu perceptimin e të Vërtetës. Temat duket se kanë qenë kontroversiale dhe në të gjitha vendet që ka patur projekte të tilla, ka patur gjithashtu debate të ngjashme po aq të nxhehta. Në të dy rastet, debatet kanë ndjekur narrativa që ne i kemi përmbledhur në paradigmat e mëposhtme. Gjithesesi, studiuesit kanë arritur në përfundimit se këto debate nuk kanë ndikuar në zhvillimin e projekteve, por kanë ndihmuar që të bëhen edhe një herë të qarta për publikun e gjërë koncepte themelore siç është jo vetëm dallimi midis muzeologjisë dhe arkivistikës, por edhe konceptin që turizmi, si një nga platformat e shfaqjes së përbajtjes kulturore, për shkak të natyrës së tij të pacentralizuar, nuk është për tu patur frikë si ndikim në krijimin e një përfytyrimi për identitetin e një vendi, pasi produkti kulturor në tregun turistik, me përkufizim, është i gjithanshëm, dhe gjithëpërfshirës.
Rast studimor: Muzeu i Kampit të Tepelenës
Siç u përmend edhe më lart, edhe lajmi për projektin e muzealizimit të kampit të Tepelenës nuk kaloi pa debate mediatike të cilat, rastësisht përkuan në vija të përgjithshme me paradigmat e debatit të zhvillluar në vende të tjera me histori të ngjashme.
Paradigma e parë dhe narrativa e parë
Muzeologjia duhet t’i përmbahet një narrative historike të caktuar që besohet nga një palë e diskutimit: Narrativa: ishtë një kamp që duhet parë në kontekstin e kohës, funksiononte për ata që kishin të arratisur në ish-Jugosllavi, dhe familjet duhet të ishin sa më larg të arratisurve sepse të arratisurit po pregatiteshin të ndërhynin ushtarakisht; të arratisurit ishin pro-jogosllavë dhe nacionalizmi i diktaturës donte të mbronte kombin si territor: Raporti i CIAS është hartuar mbështetur nga burime jugosllave, dëshmitë gojore të të mbijetuarve nuk përbëjnë dokument. Për mbi të gjitha hierarkia e lartë e shtetit nuk dinte gjë për këtë që ndodhte, madje kur e kish marrë vesh udhëheqësi, del një dokument që urdhëron të shtohet edhe një racion supe në ditë (sa i mirë udhëheqësi!!! (shën. im.)
Kjo narrativë shtron përpara një mendjeje analitike dhe kritike konstatime të tilla: edhe nëse do të ishte kështu, edhe pse argumenti niset nga premisa bindjesh politike (“diktatura e mirë, por ne nuk e kuptojmë”) dhe jo nga premisa historike dhe as humanitare, një fenomen i tillë duhet të mbajë dy emrat që ka dhe këto emra janë: “genocid” dhe “krim kundër njerëzimit”
Paragigma e dytë dhe narrativa e dytë: të internuarit ishin nacionalistë, dhe u dënuan si të tillë, duke shkuar në ekstrem në vrasjen, apo keqtrajtimin çnjerëzor të grave dhe fëmijëve të shumtë dhe të pafajshëm.vAta janë të dënuar pa gjyq. dhe ndaj tyre është ushtruar pa asnjë ligj, por me urdhëra të dokumentuar institucioni i torturës, dhunë, përdhunimit masiv pa diskriminim. Edhe pse edhe kjo narrativë, sado e saktë, është e papranueshme për palën tjetër, pikërisht sepse vendos në qendër sistemin diktatorial, për dëmet dhe krimet e të cilit një pjesë të indoktrinuarish dhe nostalgjikësh nuk bien dakort. Edhe këtu kemi vendosjen e bindjeve mbi faktet dhe dëshmitë historike, dhe sido që të jetë, kjo përsëri ka vetëm një emër: krim kundër njerëzimit dhe genocid, sepse nga çdo aspekt apo këndvështrim, qoftë ai i mbrotjes kombëtare, qoftë ai i luftës së klasave, qoftë ai i luftës ndaj nacionalistëve, këtu kemi krime të pastra ndaj civilëve, dhe krimet ndaj civilëve janë të dënueshme edhe në çdo situatë lufte reale, siç janë dënimet pa gjyq apo me gjyqe formale, siç është edhe vetë dënimi me vdekje, siç është edhe vetë dënimi për bindjet apo mendimin e lirë
Të dyja paradigmat, për shkak të diskutimit në platofrmat mediatike mainstream na çojnë tek shtrimi i pyetjes studimore mbi konceptin e identitetit. Thënë ndryshe, e ekspozuar një fenomen i tillë në muze apo në arkiva të hapura a mos valllë një prezantim i këtyre artefakteve na kthehet për turistët një instrument perceptimi për të na identifikuar si komb apo si popullsi vëllavrasëse? (në një narrativë tjetër kemi edhe “të mos i hapim këto gjëra se kush e di se çdo të dalë”, apo “të gjithë bashkëvuajtës dhe të gjithë bashkëfajtorë”, apo “ashtu e kishte sistemi”). Duke i futur në projekte të turizmit edhe paraqitje muzeale të tilla, dhe duke i parë muzetë si platforma të produkteve kulturorë, ekziston një rrezik i asociimit apo identifikimit nga ana e klienti turist i krimit dhe barbarisë nazifashiste dhe ish-komuniste me popullsinë apo kombin shqiptar i cili ka një emër të nderuar dhe të merituar në shumë epoka historike në botë.
Ndryshe nga vende të tjera komuniste (turizmi i kuq) apo ish-komuniste), në të cilat ka edhe të tilla që jetesën në vendet e ish-lindjes, perëndimoret e kanë quajtur një “tjetër qyterërim”, edhe pse i ezauruar, por termi “qytetërim” e bën atraktiv për turistët,shqiptarët e kanë zgjidhur këtë mëdyshje duke bërë distancimin kohor. Pikërisht në traditën e historianëve bashkëkohorë perëndimorë ka kohë që në studime nuk flitet me “ne”, por me “ata”, njerëzit e asaj kohe, (po kështu edhe në paraqitjet muzeale në Shqipëri). Sepse njerëzimi, humanita, nuk mund të identifikohet me manifestime të caktuara. Ky distancim, shkencërisht korrekt, edhe pse vjen natyrshëm, është koncept i rëndësishëm i të shkruarit të historisë dhe i ekspozimit publik të të vërtetave të saj.
Duke lënë mënjëanë turizmin e jashtëm, dhe dukë marrë në konsideratë turizmin e brendshëm, që jam i sigurt, është shumë i bollshëm, në rastin shqiptar, vendet e kujtesës, është provuar që nuk janë burime frymëzimi për hakmarrje dhe çoroditje sociale, por vende, ku ashtu si Aristoteli konsideron zhanrin e tragjedisë dhe preferencën ndaj tij prej spektatorëve të lashtë si nevojë për një katarsis që kalon nëpërmjet riimagjimit të dhimbjes, hipoteza jonë është që një funksion të tillë e luajnë edhe këto vende të kujtesës.
Turizmi si instrument edukativ
Edhe pse studiues të ndryshëm kanë pikëpamje të ndryshme edhe ndonjëherë të kundërta për funksionin edukativ të turizmit, në rastin e projektit të kampit të Tepelenës, ndoshta teoricienët mund të relativizojnë aspektin edukativ të turizmit, por nuk mund të relativizohet aspekti edukativ i paraqitjeve muzeale, edhe pse një koncept i tillë nuk bën pjesë në konceptin e konservator të formalizuar të edukimit. Muzetë nuk të edukojnë, si synim në vetvete, por të provokojnë mendimin, dhe në rastin më të mirë të nxisin për të studiuar dhe kuptuar. Një tjetër tezë që jam duke punar ka të bëjë me faktin se muzetë e konceptit “vendet e kujtesës” nuk duhet vetëm të na çojnë tek e shkuara, duke qenë të ndërlidhura me turizmin, ato duhet t’i kenë më të spikatura mesazhet universale mbi fenomene që njerëzimi refuzon që të përsëriten. Kështu, në këtë vepër të jashtëzakoshmë si Muzeu i Kampit të Tepelenës unë do të doja të shiheshin më shkoqur, me qartë, më të drejtpërdrejta fjalët, genocid, krim kundër njerëzimit, torturë si instrument dhune, dhunë si instrument homofobie e shumë koncepte të tjera që janë të qarta në Rezolutën e Parlamentit Europian të në Prill 2009 “mbi ndërgjegjen europiane dhe totalitarizmin”. Autori i këtyre radhëve, me shumë respekt dhe nderim ndaj arkitektëve dhe ideatorëve të muzeut sugjeron që pranë sa më shumë objekteve të muzeut, jo vetëm të shënohen të dhënat historike, por edhe të shprehen qartazi termat “krime kundër njerëzimit”, “dhunim masiv i të drejtave të njeriut”, por edhe koncepte si “e shkuara për të ardhmen”, e cila mund të jetë lajtmotiv i stendave dhe objekteve. Gjithashtu një tjetër lajtmotiv mund të shprehet qartë: “Deportimet masive, vrasjet, sklavërimet e kryera në kontekstin e akteve të agresionit nga regjimet staliniste dhe nazi-fashiste kategorizohen si krime lufte dhe si krime kundër njerëzimit.[iii] Po ashtu sugjerohet të vendosen edhe fraza e deklarata për shtyp e parlamentit europian e dhënë mbi këtë rezolutë në 20 Gusht 2021 e cila, në një përkthim të lirshëm thotë midis të tjerash:
“Le të punojmë së bashku në mënyrë që e kaluara e përbashkët të na bejë më të fortë drejt një të ardhmjeje të përbashkët-dhe të mos na largojë nga njëri-tjetri. Liria nga totalitarizmi dhe autoritarizmi nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë. Ajo është nga ato gjëra të rëndësishme të cilat ne publikikisht duhet ti dënojmë dhe të përballemi çdo ditë në mbrojtje të saj. Ajo qëndron në thelbin e idealit europian. Se bashku me sundimin e ligjit dhe demokracisë, kjo liri është bazamenti i të gjithë traktateve europiane që ne kemi nënshkruar. Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë, të bashkuar, për këto vlera evropiane[iv].
Turisti i brendshëm dhe tregu i turizmit të huaj që vjen në Shqipëri do ta kishte më të lehtë, nëpërmjet nënvizimit të këtyre ideve, që jo vetëm të zgjeronte përvojën turistike, por edhe të largohej me mesazhe që edhe pse janë pjesë e pandarë e edukimit perëndimor, duke i rritur vetëdijen, ndihmon edhe më shumë në prandalimin e së keqes.
Në vend të mbylljes
duke shkruar këto radhë, autori i këtij punimi pati mëdyshjen e zakonshme të atyre që merren me shkrime: çfarë i shton punimi im të kuptuarit të Muzeut të Kampit të Tepelenës. Autori ka punuar shumë për këtë material, dhe këtu kemi vetëm disa shënime, pasi kjo do të jetë një vepër në vazhdim, por thellë-thellë, autori ndjen se ky material nuk shton asgjë më shumë sesa ajo që një i mbijetuar thotë:
“Gjella zihej nëpër kazanë që më parë kishin qenë kazanë benzine për ushtrinë italiane…edhe pse ishin përdorur për një kohë të gjatë për gatim, nxirrnin vazhdimisht një sterrë të zezë, një tip lëngu të errët…atë ushqim e hante vetëm uria”
E parë si metaforë, ky ushqim i dy epokave të errëta që e hante vetëm uria, e volli urrenjtja për çdo krim ndaj njerëzimit, një urrejtje që nga një gjeneratë në tjetrën, duhet të kalojë në procesin e njohjes, neveritjes, vetëdijësimit dhe në transmetimin e brezave që vijnë dhe të turistëve të painformuar; se regjimet që ngrihen mbi ideologjinë e dhunës dhe opresionit si mënyrë funksionimi, qoftë e formalizuar me legjislacine apo jo, i ushqejnë njerëzit nga i njëjti kazan që nxjerr vazhdimisht sterr të zezë.
Faleminderit!
[i] Në projektin e hartuarnga Autoriteti për informim mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit përmenden termat:
“dinjiteti i njeriut është i paprekshëm”, “kampi ka karakter përfaqsues”
Në programi i qeverisjes 2017-2021 “rrugët e kujtesës që do të nxjerrë në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të diktaturës. “Rrugët e kujtesë është intinerar unik i Shqipërisë”
[ii] https://wobblyride.com/2022/11/16/communist-sites-in-albania/ nxjerrë datë 21/08/ 2023
[iii] “The mass deportations, murders and enslavements committed in the context of the acts of aggression by Stalinism and Nazism fall into the category of war crimes and crimes against humanity. Under international law, statutory limitations do not apply to war crimes and crimes against humanity.”[3]
[iv] Let us work together so that our shared past makes us stronger for the shared future – and does not drive us apart. Freedom from totalitarianism and authoritarianism is not a given. It is something we need to stand up for every day anew. It is at the heart of the European ideal. Together with the rule of law and democracy, this freedom is at the core of the European Treaties we have all signed. We must continue to stand, united, for these fundamental European values.” (Europe-wide Day of Remembrance for the victims of all totalitarian and authoritarian regimes: Statement by Vice-President Jourová and Commissioner Reynders Brussels, 20 August 2021)
European Treaties we have all signed. We must continue to stand, united, for these fundamental European values.” (Europe-wide Day of Remembrance for the victims of all totalitarian and authoritarian regimes: Statement by Vice-President Jourová and Commissioner Reynders Brussels, 20 August 2021)
Nga: Hektor Çiftja,
Universiteti “A. Xhuvani” në Elbasan,
Kumtesë e mbajtur në simpoziumin “Tepelena në dy kohë”
23 Gusht 2023