Arshi Pipa: Diversanti i fundit në Shqipëri nga Hektor Çiftja

May 8, 2020

 

Ardhja e parë si diversant:

Shqipëria, gjatë 50 vjetëve, jo vetëm ishte shteti ku mungonin plotësisht liritë e të drejtat e njeriut, por ishte edhe vendi më i mbyllur në mënyrën më fantazmagorike, ku shqiptaret nuk dinin absolutisht asgjë se çfarë ndodhte përtej kufijve shtetërore. Aq sa nëpër shkolla nxënësit i përfytyronin piramidat e kufirit jo si gurë shënjues, por si vende ku bëheshin luftime midis atyre që vinin nga jashtë, agresorëve, e që ishin domosdoshmërisht armiqtë e atyre që ishin mbrenda e që mbroheshin deri në vetësakrifikim. I tërë kufiri u rrethua me tela me gjemba, kryesisht për të mos lejuar arratisjen e shqiptarëve. Nëse dikush, me leje të studiuar mirë nga organet kompetente, do të kapërcente kufirin për të shkuar qoftë deri në Kosovë, bie fjala për ndonjë ndeshje sportive, jo më shumë se sa një javë, ai njeri quhej “i shëtitur”: një bluzë e blerë atje do të ruhej si fetish, simbol që tregonte epërsinë e tij ndaj çdo shqiptari tjetër. Ndersa i huaji më i famshëm e për të cilin shqiptarët kishin dëgjuar më shumë ishte ndoshta Zhoa Amazona, i cili financohej nga ambasada shqiptare për të shpërndarë librat e diktatorit në Brazil. Ndërsa në familje burri ndjehej “më burrë” nëqoftëse arrinte të ndërtonte një paisje të veçantë për televizorin, në mënyrë gjysëm klandestine, për të shmangur zhurmuesit e instaluar nga qeveria, e për të arritur të shikonte në orët e vona të natës ndonjë program në kanalet televizive në gjuhë të huaj të shteteve fqinj. Për shkak të luftës së egër në çdo drejtim ndaj institucioneve dhe besimeve fetare, shumica e shqiptarëve filluan ta shoqërizojnë në mendje figurën e priftit jo si njeri që merret me punët e fesë, por si një agjent sekret, me veladon të zi, që punonte vetëm për të shkaktuar kryengritje të armatosura. Një nga librat zyrtarë të detyrueshëm për t’u lexuar nga të gjithë shqiptaret ishte libri i diktatorit “:Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, ku midis të tjerash i lihej porosi të gjithë udhëheqësve të ardhshëm të mos lejonin që në Shqipëri të hynte asnjë i huaj me mjekër, sepse aty agjentët anglo-amerikanë mund të fshihnin paisjet e tyre (“Comrade Lolou and the Fun Factory”, nga Cali Ruschala, http://www.diacritica.com/degenerate/5/enver.html)

Le të vijmë tani tek Arshi Pipa. Shumë shqiptarë të brezit të viteve ’80-të nuk do ta kishin idenë se kush ishte Arshi Pipa sikur të mos kishte folur vetë udhëheqësi në një kontekst tragjik që lidhej me vetëvrasjen misterioze dhe mbretërore të ish-kryeministrit. Mehmet Shehu ishte ushtarak i lartë me shkollim perëndimor, marksist nga ata që shkuan vullnetarë në Spanjë në vitet ’30-të, bashkëpunëtor i diktatorit në të gjitha nismat e mëdha, (kupto edhe krimet e mëdha), deri në shkëputjen banditeske nga Bashkimi Sovjetik, i mbijetuari i të gjitha spastrimeve në parti e shtet, dhe kandidati i vetëm për vendin e diktatorit mbas vdekjes së tij, si pasojë kjo e lidhjeve të fuqishme familjare në kupolën e partisë. Kur diktatori e rrëzon këtë njeri deri në vetëvrasje, një nga akuzat e mëdha që i bën ishte që lejoi që djali i tij të fejohej me mbesën e Arshi Pipës. Për shqiptarët e mbyllur e të izoluar ishte vegimtar fakti që A.Pipa jetonte në Amerikën e fortë dhe antikomuniste nga ku vinin vetëm diversantë. Aq më tepër që përderisa kryeministri rrëzohet nga pushteti vetëm sepse djali fejohet me mbesën e Pipës, patjetër që ky Pipa duhej të qe shumë i rrezikshëm. Në shkolla, televizion, shtyp, e në mbledhjet e përjavshme, çdo shqiptari, sa herë që flitej për kryeministrin e rrëzuar, aq herë, në një mënyre apo tjetër do t’i përmendej Pipa. Ky kontakt i panatyrshëm që shqiptari krijoi me figurën e Pipës, është ajo që unë po e quaj këtu si ardhja e Pipës si “diversant” në Shqipëri, sepse i një natyre të përafërt ishte imazhi i rremë psikologjik që u krijua për të mbrenda kufijve, sidomos për shkak të izolimit të vendit dhe fushatave të vazhdueshme të “shpëlarjes së trurit”.

Ardhja e dytë si diversant:

Ndoshta askush nga brezi i 30vjeçarëve e lart në ditët e sotme nuk do ta kishte mësuar se kush ishte Arshi Pipa po qe se për të nuk do të kishte shkruar Ismail Kadareja tek “Ftesë në Studio”. Nje liber i çuditshëm ky, pa formë, i botuar mbas “arratisjes” së Kadaresë, por i shkruar përpara rënies së diktaturës. Një libër në të cilin autori i ngjan atij marangozit apo artizanit që mbas ‘90-ës, meqë në treg dolën teknologji të reja, vendos të shesë të gjithë punishten me çmim shumice se e di se nuk do ta përdorë dot më, dhe ngutet të heqë gjithçka që ka në bodrumin ku punon, përpara se të jetë shumë vonë. Dhe kur një shkrimtar nxjerr në treg bodrumin e tij, me fjalë të tjera copa ditaresh, apo shënimesh personale që janë aq personale sa vetëm për shkak të delirit se është njeri i madh, ai kërkon t’i shesë për art, faktikisht ai nxjerr në public copa mllefesh të hershme, copa fantazish prej të sëmuri, paragrafë që ka dashur t’i botojë po nuk do t’i përmblidhte dot asnjë lloj libri e kështu me rradhë. Pikërisht në këtë libër Kadareja merr pozicionin psikopatologjik të viktimës, jo prej rregjimit, por të viktimës prej kolegëve të vet të letrave, e fillon e fantazon historira sikur ai është Moxarti e të tjerët Salieri e kështu me rradhë.

Ishte në këtë libër, që si çdo libër i Kadarëse jepej me detyrim nëpër shkolla, që shqiptarët dëgjuan përsëri për Arshi Pipën. Këtu Kadareja, me mllefin e tij psikopatik, të pahijshëm e aspak artistik, shkon deri aty sa nuk shkojnë ndoshta as dy të pirë që grinden në kafe: tallet me emrin e Pipës, duke e deformuar në “Pipiç”, gjë që nënkupton një sharje shumë të rëndë. Profesor Pipa atje portretizohet si njeriu që në botën tjetër-përendimi dhe Sh.B.A. kanë qënë për shqiptarët gjithmonë “bota andej, ose bota matanë”, pra bota e mistershme, e ndaluar- pra shkruante dhe botonte “letra anonime” kundër Kadarese, që regjimi komunist, mbasi të lexonte këto “letra”, ta dënonte Kadarenë si “armik”. Këto gjëra, Pipa, sipas Kadaresë, i bënte sepse e kishte zili këtë të fundit si shkrimtar dhe donte që ta “fundoste” përfundimisht.

Se si kishin qene keto “letra anonime”, pra se cfare kishte shkruar e thene Pipa qe te meritonte keto sharje, kjo u mor vesh mbas -90-es, kur gazetat i ribotuan disa nga këta shkrimet kaq shqetësuese të profesorit shqiptaro-amerikan. Bëhej fjalë për një studim “Subversioni përkundrejt konformizmit- fenomeni Kadare”, botuar në vitet ‘70-të në Sh.B.A. në një revistë në gjuhën shqipe dhe që Pipa me fare pak ndryshime e ka përfshirë në “Albanian Contemporary literature”. Shkrimi në vetvete, me argumenta studiuesi e kritiku letërsie, e në një frymë krejtësisht të re shkencore arrin në tezën se në veprën e Kadaresë, për shkak se shkrimtari i përket fizikisht regjimit komunist, pamja e jashtme është konformiste me ideologjinë zyrtare, ndërsa për shkak të talentit të lindur dhe gjenialitetit, veprat përmbajne një subversion ideologjik, që nuk është antikomunizëm i mirëfilltë, por një lloj herezie e cila nuk vjen për shkak sepse shkrimtari është disident apo rebel, si bie fjala Jevtushenko apo Pasternaku, por sepse talenti i madh nuk i shpëton dot frymës së realizmit artistik . Pra së pari bëhet fjalë për një studim shkencor, dhe së dyti bëhet fjalë për elementet letrare të natyrës subversive në raport me kohën në veprën e Kadaresë. Kjo e inatos Kadarenë e “Madh”, dhe bën që pikërisht në fund të viteve 90-te, kur regjimi kishte marrë tatatëpjetën, ai ta akuzojë Pipën për “mëkatin” se kishte gjetur në veprën e tij elemente që binin në kundërshtim me realizmin socialist. Sot, Kadareja i ka harruar këto, dhe po bën çmos të proklamohet si shkrimtar disident e antikomunist, duke paguar shuma të mëdha për materiale propagandistike si “ Dialog me Allen Bosquet ”, apo si librat socrealistë të Maks Velos, Shaban Sinanit e Alfred Ucit, apo duke provokuar debate e fushata të panevojshme mediatike si ai mbi “Pashallarët e kuq”, një poemë fundekrye socrealiste, biles më konformiste sesa romani “Dasma”. Të gjitha këto do të ishin të panevojshmë, dhe jo kaq qesharake dhe groteske, sikur njerëzit, në vend që të merreshin me “:Pashallarët e kuq”, të lexonin studimet e Pipës, ku Kadareja del shume teper e më seriozisht i lavdëruar.

Ardhja e tretë si diversant:

Për herë të tretë si diversant, Pipa do të hyjë në Shqipëri në vitin…2004
Citat: “Eshte per te ardhur keq qe Robert Elsie, i cili edhe nje here duhet pergezuar per ate ndihmese te pacmuar qe ka bere duke e e njohur letersine shqipe ne bote,me kete studim te gjate e me te tjera si ky, te krijoje nje opinion te shtrember , ashtu si Pipa, per shkrimtarin tone te madh ne boten perendimore.

Nuk eshte cudi qe keto konsiderata te kene ndikuar dhe te ndikojne te “senatoret e akullt” te Akademise se Shkencave te Suedise qe Ismail Kadarese te mos i jepet per te gjashten kandidature cmimi Nobel, me kerkesen e Akademsise Franceze. (Nën.im.-H.Ç.)

Do te doja qe kjo kerkese te vinte te pakten edhe nga disa organizma jo zyrtare shqiptare , te Kosoves dhe te diaspores shqiptare, te vete shtypit tone, i cili nuk duhet te mjaftohet vetem me nje lajm, ku te shprehet keqardhja qe Kadarese ende padrejtesisht nuk po i jepet ky titull, por t’i kthjeje faqet e tij, dhe kete ta beje qe keta muaj, ne kolona ku ne nepermjet zerit te intelektualeve tane me te shquar,madje edhe te huaj qe e duan ate sa e duam edhe ne, te shprehet kjo deshire qe ky cmim te vije me se fundi ne atdheun tone, ne vendlindjen e shkrimtarit tone me fame boterore.

Sepse, kur Kadareja te fitoje kete titull te merituar, ate e ka fituar cdo shqiptar, e ka fituar Shqiperia, imazhi i se ciles sot, per shkak te qeverisjes se pushtetareve tane te mbrapshte,te molepsur nga korrupsioni dhe miopia politike, fatkeqesisht eshte erresuar dukshem ne bote. (nën.im.-H.Ç) (Skifter Këlliçi; Edhe Elsie si Pipa në disa gjykime për Kadarenë “Koha Jonë”- E Hene, 23 Shkurt 2004)

Ky shkrim vjen pas një tjetri i cili i kushtohet terësisht Pipës.Jo se është ndonjë artikull me të cilin ja vlen të merresh ky shkrimi i këtij soc-realistit, por është një tjetër dëshmi se si në shekullin 21, në media moderne, profesori i vdekur shqiptaro-amerikan perceptohet akoma si “diversanti” i përrallave me sigurimsa të revistës “Në shërbim të popullit”. Sot llogjika e këtyre njerëzve është kjo-Shqipëria ka një imazh negativ, që të rregullohet ky imazh negativ duhet që Kadareja të marrë çmimin “Nobël”, dhe ata që shkruajnë se Kadareja në veprën e vet i ka shërbyer regjimit komunist pa tjetër që me siguri nuk duan që ai të marrë çmimin “Nobel”, pra si rrjedhojë duan të shkatërrojnë Shqipërinë që ajo të ketë imazh të keq. Por përballë këtyre diversantëve anti-shqiptarë, duhet të mobilizohet i gjithë populli “ushtar” grusht-bashkuar rreth Kadaresë, që ai të marrë çmimin “Nobel”. “Do te doja qe kjo kerkese te vinte te pakten edhe nga disa organizma jo zyrtare shqiptare , te Kosoves dhe te diaspores shqiptare, te vete shtypit tone, i cili nuk duhet te mjaftohet vetem me nje lajm, ku te shprehet keqardhja qe Kadarese ende padrejtesisht nuk po i jepet ky titull, por t’i kthjeje faqet e tij, dhe kete ta beje qe keta muaj, ne kolona ku ne nepermjet zerit te intelektualeve tane me te shquar,madje edhe te huaj qe e duan ate sa e duam edhe ne, te shprehet kjo deshire qe ky cmim te vije me se fundi ne atdheun tone, ne vendlindjen e shkrimtarit tone me fame boterore.”( S.Këlliçi)

Edhe këtë herë, njeriu i thjeshtë shqiptar dëgjon për Pipën, jo si për studiuesin e qindra faqeve studime si bie fjala “Trilogia Albanica”, apo “Albanian Contemporary Literature”, por si për diversantin që bashkë me ca diversantë të tjerë si Elsie, po prish imazhin e Shqipërisë.

Dy fjalë për jetën e “diversantit”:

Arshi Pipa është lindur në Shkodër, Shqipëri, në 1920. Pas diplomimit në liceun shtetëror të Shkodrës, (Ndarje Klasike) në 1938 studioi filozofi në Universitetin e Firences. Disertacioni i tij, “Morali dhe feja në Bergson” (E. P. Lamanna, kosultant), mbaroi në 1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. Në 1941-shin, u emërua mësues filosofie në liceun shtetëror të Tiranës. Në atë kohë jepte mësim në licetë shtetërorë të Shkodrës dhe Tiranës, 1942-44. Pas luftës, ishte mësues i italishtes dhe shqipes në kolegjin e mësueseve në Tiranë. Në Prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit shqiptar. Dokumentimi i dhjetë viteve (1946-56), i kaluar në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar, gjendet në “Libri i burgut” (Prison notebook,1959). Në 1957-ën u arratis për në Jugoslavi, ku jetoi si refugjat për vite. Gjatë asaj periudhe, përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe), me përkthime, me kapituj mbi metrikat dhe shënime) Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin, Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku jepte mësim filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në universitetin e qytetit të Xhorxhias, shkolla e gjuhëve dhe gjuhësisë dhe gjithashtu jepte mësim filozofi, në kolegjin e arteve të lira (verë, ’61, dhe ’62). Ishte pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbias në vitet 1961-62, dhe profesor asistent i gjuhës italiane në universitetin e Delfit, Garden City, vitet pasuese gjatë të cilave ai gjithashtu jepte mësim tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66, ishte profesor asistent (Profesor asistent i perkohshem në vitet 1963-64 ), në departamentin e gjuhës italiane në universitetin Kalifornisë, Berkli. Atje jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Croce, 1964, Vico,1965 ), aq mirë sa dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, ( 1965 ), Në vitin 1966, drejtoi disertacionet PhD. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minesotës dhe Mineapolis, në fillim si profesor shoqërues ( 1966-69 ), dhe më pas si profesor i gjuhës Italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane, ( Departamenti i gjuhëve Romane gjatë vitit 1968 ). U bë pjestar i UM, si anëtar i zotuar, dhe shërbente si mbështetës në ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e Master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i gradimeve studimore në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD, u shkruan nën drejtimin e tij. I ka dhënë mësim kurseve të padiplomuara të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe kulturës ( gjithashtu në Anglisht ) dhe, në veçanti, kurseve të padiplomuara për shkrimtarët e mëdhenj, ( Dante, Boccaccio, Manzoni, Leopardi ), zhanre ( Poezinë kalorsiake. Letërsinë Utopike ), dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë ), përfshi seminaret ( Ungaretti dhe Montale, Vico dhe Croce ). I U ka dhënë gjithashtu mësim sëbashku, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, ( Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane ), duke pasuar me themelimin e programeve të Master-it në gjuhët Frënge dhe Italiane ( 1970 ), të ndërtuar përmes nismës së tij. Publikimet dhe referatet e tij shkencore ( në Anglisht, Italisht, Frengjisht dhe Shqip ), janë në: (a) poezi; (b) estetikë dhe filozofi; (c) kritikë letrare. Në poezi kemi katër volume me vjersha në Shqip: Lundëtarë ( Sailors, 1944 ), Libri i burgut ( Prison Notebook, 1959 ), Rusha ( 1968 ), dhe Meridiana ( 1959 ); Në Estetikë dhe Filozofi kemi artikuj të ndryshëm dhe shumë referate shkencore, ( disa prej tyre janë mbajtur në konferenca të huaja dhe kongrese ndërkombëtare në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecia; Në kritikë letrare puna e tij ka lidhje me letërsinë Italiane, po aq sa dhe me atë Italo-Shqiptare dhe me letërsinë dhe kulturën Shqiptare. Shkrimet e tij në letërsinë italiane janë më shumë në fushën e specializimit të tij, letërsi bashkëkohore (Montale dhe Ungaretti në veçanti ). Ka botuar gjithashtu artikuj mbi Danten, De Sanctis, Manzoni dhe Moravia. Monografia e tij “Montale dhe Dante” (1968 ), ka patur dhe një botim në italishte, “Montale e Dante” (1975 ). Artikujt, reçencat dhe kritikat e tij janë botuar në “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Review”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”; “Revue de litterature comparée”, “Revue des études italiennes”. Artikuj dhe revista mbi Italo- Shqiptarët si edhe letërsinë dhe kulturën Shqiptare, i ka botuar në: “Südost- Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”; “Comparative literature studies”, “Books Abroad”, “Rivista di letterature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”. Rezultati i kërkimeve të tij mbi Italo- Shqiptarët si edhe kulturën dhe letërsinë Shqiptare janë “Trilogia Albanica ( 1978 )”, e cila përbëhet nga tre libra: “Vargu popullor shqiptar: Struktura dhe zhanri i tij”, “Jeronim De Rada”, “Letërsia Shqiptare: Perspektivat sociale.” (për një paraqitje më të detajuar mbi punën studimore të Pipës shih shënimet në fund të shkrimit )

Informacioni i mësipërm, i cili është kortezi e Robert Elsie-së sipas burimeve autentike nga vetë Pipa, sipas meje flet shumë për këtë shkencëtar të madh. Së pari na tregon potencialin e tij intelektual, i cili ka kaluar nepër një “filtër” të rrallë, siç është ai i universiteteve amerikane. Pra A.Pipa nuk ka qenë aspak autori i dështuar e xheloz, përkundrazi. Së dyti, interesimet studimore e botuese të Pipës kanë qenë shumë më tepër sesa thjesht një konflikt imagjinar me k Kadarene, apo zhberja e “kongresit të Drejtshkrimit” siç kanë folur disa. Interesimet e tij janë prej studiuesi shqiptaro-amerikan, dhe që të kuptohen shkrimet e tij, qoftë edhe ato për Kadarenë apo për gjuhën e njësuar duhet marrë parasysh patjetër konteksti kulturor i studimeve letrare filozofike të kohës, si edhe shkollimi i tij i mirëfilltë klasik. Qe të lexohen si duhen ato që ka shkruar Pipa duhen marrë parasysh se me cfarë merreshin profesorët amerikane të filozofisë dhe letërsisë ato vite, si edhe baza e shëndoshë, por e huaj për shqiptarët e realizmit socialist siç ishte shkollimi klasik.

Të gjitha kërkimet tregojnë se Pipa ishte pak i interesuar për fatin personal të Ismail Kadaresë, dhe studimi i tij për Camajn, mikun dhe kolegun e ngushtë është i vetmi studim ku Camaj përkufizohet si i dështuar e i pazoti në shumë nga krijimet e tija letrare. Megjithatë midis Camajt e Pipës nuk pati asnjë lloj konflikti.

Sot Pipa nuk jeton më: Atij ju benë vite që nuk është më me të gjallët, (pavarësisht se S.Këlliçi e vdes atë 20 vite para vdekjes së qënë). Ne duhet të kuptojmë se prof. Pipa nuk ka patur, dhe nuk ka më nevojë për ne, as që ta lavërojmë e as që ta shajmë. Ai ishte një profesor i disa universiteteve prestigjoze amerikane, ku për studimet dhe kërkimet shkencore i mori shpërblimet, që kanë qenë vetëm ato akademike, siç ishin titulli Profesor Emeritus, i dhene nga universiteti i Minesotas, si edhe vendin e punës në universitet. Sot, ne e dime mire se sa nuk është e lehtë të meritosh një vend të tillë në Sh.B.A. Studimet e tij kanë kaluar nëpër “filtra” shkencorë të një natyre krejtësisht tjetër, me “filtrat” ideologjikë, me të cilët i shohim gjërat ne shqiptarët, edhe sot e kësaj dite në shekullin 21. Sot jemi ne që kemi nevojë për Pipën:

-Sepse u themi albanologëve të huaj që gjatë një gjysëm shekulli shqiptarët nuk nxorrën vetëm diktatorë, por edhe studiues letërsie, që ishin dinjitozë në mjediset kërkimore-shkencore në Amerikë dhe Europën Perëndimore;

-Sepse, duke përdorur studimet e Pipës, studentët shqiptarë në gjithë universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjithandej, si edhe mësuesit e gimnazeve anembanë, nuk janë të detyruar ta bëjnë studimin e 500 vjetëve letërsi duke ju referuar vetëm kritikëve të realizmit socialist, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës, po kanë në dorë edhe një burim shkencor i cili të paktën është me natyrë alternative;

-Sepse edhe njerëzve si Kadareja u bëhet më shumë nder kur i lavdëron ai që di dhe ka mundësi të kritikojë si Arshi Pipa, ashtu si për mbretin kanë më shumë rëndësi lëvdadat e kundërshtarit, sesa ato të lakejve apo palaçove të oborrit të tij letrar.

Botuar ne vitin 2004, ne Revisten “Kuvendi”, USA

Hektor ÇIFTJA*